Nga janari i vitit 2023 deri në tetor ka patur një rritje prej 9.64% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, përsa i përket të ardhurave nga primet e shkruara bruto të sigurimit, të cilat të përkthyera në lekë arrijnë në vlerën 18.8 miliardë lekë. Po ashtu, një rritje prej 11.22% ka pësuar dhe numri i kontratave të sigurimit të lidhura, duke arritur kështu totali i tyre në 1 211 966.
Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), konstatoi se tregu është sërisht i orientuar tek llojet e tjera të sigurimeve dhe jo tek ato të jetës. Këto kategori të tjera të sigurimeve sollën 91.94% të vëllimit të përgjithshëm të primeve, sigurimet e jetës kanë 8.00% dhe risigurimi 0.065 %. Primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 39.45% dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 60.55% të totalit të tregut.
Përsa i përket dëmeve të paguara bruto në tregun e sigurimeve gjatë këtij 10 mujori, sipas përllogaritjeve arritën në rreth 5.7 miliardë lekë, ose 7.77% më shumë se në periudhën janar-tetor 2022. Ndërsa dëmet e paguara bruto në sigurimin motorrik u rritën me rreth 8.35% duke kapur vlerën 3.9 miliardë lekë.

