Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka hapur aplikimet për nëntë vende të reja pune në strukturat e sigurisë, vetëm pak ditë pas mbërritjes dhe marrjes zyrtarisht të detyrës nga ambasadori i ri amerikan në Shqipëri, Eric Wendt.
Sipas njoftimeve të publikuara për rekrutim, Misioni Amerikan në Tiranë kërkon tre punonjës për pozicionin “LGF Armed Guard” dhe gjashtë të tjerë për pozicionin “LGF Unarmed Guard”. Të dyja kategoritë e vendeve të punës janë pjesë e Zyrës Rajonale të Sigurisë (Regional Security Office – RSO) dhe aplikimet janë të hapura për të gjithë kandidatët e interesuar që plotësojnë kriteret
Për tri pozicionet e rojeve të armatosura, paga e përcaktuar është 1,508,301 lekë në vit, ndërsa për gjashtë pozicionet e rojeve të paarmatosura paga është 1,366,698 lekë në vit. Afati i fundit për aplikim është 7 tetor 2026.
Hapja e nëntë vendeve të punës në strukturën e sigurisë së Ambasadës përkon me një moment të ri për përfaqësimin diplomatik amerikan në Shqipëri. Eric Wendt mbërriti në Tiranë më 25 shtator dhe një ditë më pas i paraqiti letrat kredenciale Presidentit Bajram Begaj, duke nisur zyrtarisht mandatin e tij si Ambasador i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri.
Me marrjen e detyrës nga Wendt merr fund një periudhë prej afro tre vitesh gjatë së cilës Uashingtoni nuk kishte një ambasador të konfirmuar në Tiranë. Mandati i ish-ambasadores Yuri Kim përfundoi në vitin 2023 dhe në periudhën pasuese misioni diplomatik amerikan u drejtua në nivel të të ngarkuarit me punë. Mungesa e një ambasadori të konfirmuar në Shqipëri ishte ngritur edhe në Senatin amerikan: në shtator 2024 u evidentua se Tirana ishte në atë kohë i vetmi kryeqytet i një vendi të NATO-s ku SHBA nuk kishte një ambasador të konfirmuar.
Wendt vjen në Shqipëri me një profil të lidhur ngushtë me sigurinë dhe mbrojtjen. Ai ka shërbyer për më shumë se 34 vjet në ushtrinë amerikane dhe ka mbajtur poste të larta, përfshirë drejtimin e strukturave të Operacioneve Speciale të NATO-s. Emërimi i tij si Ambasador i SHBA-së në Shqipëri u konfirmua nga Senati amerikan gjatë këtij viti. /ekofin.al
