Një analizë e re e publikuar nga Altax ngre alarmin për përmasat ekonomike dhe sociale të korrupsionit në Shqipëri, duke vlerësuar se gjatë vitit 2025, dëmi i shkaktuar në ekonomi arrin nga 852 milionë deri në 1.1 miliardë euro, ose deri në 4% të Prodhimit të Brendshëm Bruto të vendit. Studimi “Kostoja e Korrupsionit në Shqipëri 2025”, prezanton për herë të parë një model dinamik që mat jo vetëm humbjet direkte fiskale, por edhe efektet afatgjata në rritjen ekonomike dhe mirëqenien sociale.
Sipas raportit, korrupsioni po funksionon si një “taksë e fshehtë” për ekonominë shqiptare, duke gërryer investimet, deformuar konkurrencën dhe ulur cilësinë e shërbimeve publike. Vetëm kostot direkte fiskale llogariten në 650-810 milionë euro në vit, ekuivalente me 8-10% të shpenzimeve totale publike të vitit 2025. Një pjesë e konsiderueshme e kësaj humbjeje lidhet me evazionin fiskal, tenderat e fryrë, abuzimet me kontratat publike dhe shpenzimet kapitale.
Analiza shkon më tej duke matur edhe efektin indirekt të korrupsionit në ekonomi. Sipas Altax, korrupsioni i heq Shqipërisë çdo vit 0.73 deri në 1.10 pikë përqindjeje nga rritja reale e PBB-së, përmes uljes së besimit institucional, frenimit të investimeve të huaja dhe shtrembërimit të tregut. Në terma monetarë, kjo përkthehet në 202-305 milionë euro prodhim ekonomik të parealizuar çdo vit.
Një nga elementët më të fortë të raportit është Indeksi i Mirëqenies së Humbur (IMH), një tregues i ri që mat sa nga efektiviteti i buxhetit social humbet për shkak të korrupsionit dhe keqmenaxhimit. Sipas studimit, 22-29% e efektivitetit të fondeve për arsim, shëndetësi dhe mbrojtje sociale “avullojnë”, çka do të thotë se deri në një të tretën e parave publike nuk arrijnë të japin efektin e pritshëm për qytetarët.
Raporti evidenton edhe përkeqësimin e perceptimit të korrupsionit në vend. Shqipëria vlerësohet me vetëm 39 pikë nga 100 në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit të Transparency International për vitin 2025, duke rënë me 3 pikë krahasuar me një vit më parë dhe duke u renditur në vendin e 91-të nga 182 shtete.
Nëse niveli aktual i korrupsionit vijon i pandryshuar deri në vitin 2030, Shqipëria mund të humbasë nga 2.8 deri në 4.8 miliardë euro prodhim ekonomik kumulativ. Në të kundërt, një ulje e korrupsionit me 25-30% do t’i sillte ekonomisë shqiptare 4 deri në 7 miliardë euro shtesë në PBB deri në fund të dekadës.
Studimi rekomandon disa masa prioritare, mes të cilave dixhitalizimin e plotë të prokurimeve publike, forcimin e SPAK dhe institucioneve antikorrupsion, rritjen e transparencës fiskale dhe uljen e evazionit tatimor përmes dixhitalizimit të administratës tatimore. Sipas Altax, vetëm dixhitalizimi i prokurimeve mund t’i kursejë buxhetit të shtetit deri në 350 milionë euro në vit.
Raporti argumenton se lufta kundër korrupsionit nuk është më vetëm një çështje morale apo politike, por një domosdoshmëri ekonomike për të ardhmen e vendit dhe procesin e integrimit europian. /ekofin.al
