Numri i aksidenteve rrugore në Shqipëri shënoi rritje gjatë muajit maj, ndërsa bilanci i pesëmujorit të parë të vitit 2026 mbetet gjithashtu në rritje krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Të dhënat e publikuara nga INSTAT tregojnë se edhe numri i personave të aksidentuar është rritur, ndërsa shkaku kryesor vijon të jetë sjellja e drejtuesve të mjeteve.
Në muajin maj 2026 u regjistruan 133 aksidente rrugore, nga 116 që ishin në maj 2025, duke shënuar një rritje prej 14.7%. Si pasojë e tyre u aksidentuan 181 persona (të vrarë dhe të plagosur), krahasuar me 157 persona një vit më parë, ose rreth 15.3% më shumë.
Për periudhën janar-maj 2026, në vend u regjistruan gjithsej 547 aksidente rrugore, nga 529 në pesëmujorin e parë të vitit 2025, një rritje prej 3.4%. Në të njëjtën kohë, numri i të aksidentuarve arriti në 766 persona, nga 743 një vit më parë, duke reflektuar një rritje prej rreth 3.1%.
Sipas INSTAT, 94% e aksidenteve të regjistruara gjatë muajit maj kanë ardhur si pasojë e sjelljes së drejtuesve të mjeteve, duke konfirmuar se faktori njerëzor mbetet shkaku dominues i aksidenteve në rrugët shqiptare.
Analiza sipas karakteristikave të aksidenteve tregon se grupmosha 25-34 vjeç përfaqëson pjesën më të madhe të drejtuesve të përfshirë në aksidente, me 30.8% të totalit. Ndërkohë, dita e diel rezulton të jetë dita me numrin më të lartë të aksidenteve, duke përbërë 18% të totalit, ndërsa intervali kohor 08:00-12:00 mbetet periudha më problematike e ditës, me 27.1% të aksidenteve.
Në nivel qarqesh, rritjen më të fortë gjatë muajit maj e regjistroi Tirana, ku aksidentet u shtuan nga 30 në 53 raste. Edhe në totalin e pesëmujorit, kryeqyteti kryeson me 235 aksidente, nga 157 një vit më parë, ose afro 50% më shumë. Rritje të dukshme pati edhe Vlora, me 50 aksidente në pesëmujor, nga 31 në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në të kundërt, qarqe si Shkodra, Korça, Gjirokastra dhe Fieri regjistruan ulje të numrit të aksidenteve në pesë muajt e parë të vitit./ekofin.al


