Aksidentet rrugore shënuan rritje të ndjeshme gjatë muajit prill, duke ndërprerë ecurinë thuajse të qëndrueshme të katërmujorit të parë të vitit. Sipas të dhënave të INSTAT, në prill 2026 u regjistruan 132 aksidente rrugore në të gjithë vendin, nga 112 aksidente në prill 2025. Kjo përkthehet në një rritje prej 17.9% krahasuar me të njëjtin muaj të një viti më parë.
Rritja është reflektuar edhe te pasojat në njerëz. Në aksidentet e muajit prill mbetën të vrarë ose të plagosur 194 persona, nga 162 persona në prill 2025, me një rritje prej 19.8%. Të dhënat tregojnë se përkeqësimi mujor nuk lidhet vetëm me numrin e ngjarjeve, por edhe me bilancin e personave të prekur nga aksidentet.

Në analizën sipas qarqeve, Tirana mbetet qarku me peshën më të madhe. Në prill 2026, në kryeqytet u regjistruan 60 aksidente, nga 34 një vit më parë, ndërsa numri i të vrarëve dhe të plagosurve u rrit nga 48 në 78. Rritje e fortë u shënua edhe në Vlorë, ku aksidentet u rritën nga 6 në 14, ndërsa të aksidentuarit nga 6 në 25. Ndërkohë, në disa qarqe si Durrësi, Shkodra, Lezha apo Berati, numri i aksidenteve ishte më i ulët se në prillin e vitit të kaluar.
Për periudhën janar-prill 2026, pamja është më e qëndrueshme. Në total janë regjistruar 414 aksidente rrugore, nga 413 në katërmujorin e parë të vitit 2025, me një rritje minimale prej 0.2%. Ndërkohë, numri i personave të vrarë dhe të plagosur rezultoi 585, nga 586 një vit më parë, duke shënuar një ulje shumë të lehtë prej 0.2%.
Edhe për katër muajt e parë të vitit, Tirana mban peshën kryesore të aksidenteve rrugore. Në janar-prill 2026, në kryeqytet u regjistruan 182 aksidente, nga 127 në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ndërsa të aksidentuarit u rritën nga 171 në 221. Vlora gjithashtu shfaq rritje të dukshme, me 39 aksidente nga 24 një vit më parë dhe 64 të aksidentuar nga 29.
Sipas INSTAT, gjatë prillit 89.4% e aksidenteve kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesve të mjeteve. Grup-mosha 25-34 vjeç ka peshën më të lartë, me 27.3% të aksidenteve totale. Ditët me më shumë aksidente ishin e mërkura dhe e premtja, ndërsa fashë-orari më problematik ishte 19:00-24:00, ku u regjistruan 30.3% e aksidenteve./ekofin.al
