Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) ka miratuar një rregullore të re që synon rritjen e transparencës dhe mbrojtjen e përdoruesve fundorë në tregun e komunikimeve elektronike. Me Vendimin e Këshillit Drejtues nr.1, datë 2 shkurt 2026, AKEP ka përcaktuar modelin standard të “Përmbledhjes së Kontratës”, dokument që operatorët do të jenë të detyruar t’ua vënë në dispozicion konsumatorëve dhe një pjese të bizneseve përpara lidhjes së kontratës.
Rregullorja hyn në fuqi menjëherë, por fillon efektet nga data 1 maj 2026, duke u dhënë operatorëve një periudhë tranzitore për përshtatjen e dokumentacionit kontraktor.
Një faqe, informacion kyç dhe krahasues
Sipas rregullores, përmbledhja e kontratës është një dokument parakontraktor, i thjeshtuar dhe lehtësisht i lexueshëm, që përmbledh elementët kryesorë të ofertës si: shërbimin ose paketën e shërbimeve, shpejtësitë e aksesit në internet (kur është e aplikueshme), çmimin dhe tarifat, kohëzgjatjen dhe kushtet e përfundimit të kontratës, funksionalitetet për përdoruesit me aftësi të kufizuara, si dhe informacion tjetër thelbësor për vendimmarrje të informuar.
Në parim, dokumenti nuk duhet të tejkalojë një faqe A4, ndërsa për kontratat që përfshijnë paketa shërbimesh (p.sh. internet + TV + telefon), kufiri rritet deri në tre faqe A4. Qëllimi pas kësaj është që konsumatori të krahasojë ofertat pa u përballur me kontrata të gjata dhe teknike.
Kush përfiton nga kjo e drejtë
E drejta për t’u pajisur me përmbledhjen e kontratës u njihet konsumatorëve individë, si edhe bizneseve të vogla, mikrondërmarrjeve dhe organizatave jofitimprurëse, për sa kohë nuk heqin dorë shprehimisht nga kjo e drejtë.
Kjo do të thotë se edhe një pjesë e rëndësishme e bizneseve të vogla trajtohen, për efekt transparence, në mënyrë të ngjashme me konsumatorët.
Rregulla strikte për formën dhe lexueshmërinë
AKEP ka vendosur standarde të qarta edhe për paraqitjen vizuale të dokumentit, të cilat përshijnë format vertikal (portret), madhësi shkrimi jo më pak se 10 pikë, kontrast i mjaftueshëm mes tekstit dhe sfondit, pa ikona, grafika apo elementë vizualë që mbivendosen mbi tekst.
Gjuha duhet të jetë e thjeshtë, e kuptueshme dhe e orientuar drejt konsumatorit, duke shmangur terminologjinë e panevojshme teknike.
Përafrim i plotë me legjislacionin e BE-së
Rregullorja është plotësisht e përafruar me Rregulloren Zbatuese (BE) 2019/2243 dhe me Kodin Evropian të Komunikimeve Elektronike, duke e afruar më tej tregun shqiptar me standardet e Bashkimit Evropian. Ky hap vjen në vijim të zbatimit të Ligjit nr.54/2024 “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë”.
Në praktikë, kjo do të thotë se modeli shqiptar i përmbledhjes së kontratës është i njëjtë, në thelb, me atë që përdoret sot nga operatorët në vendet e BE-së.
Çfarë ndryshon në treg
Për operatorët, rregullorja sjell detyrime shtesë organizative, por edhe një standardizim që redukton paqartësitë dhe ankesat. Për konsumatorët dhe bizneset e vogla, ajo përkthehet në më shumë transparencë, më pak surpriza në faturë, më shumë fuqi krahasuese mes ofertave dhe një bazë më të fortë ligjore në rast mosmarrëveshjesh.
“Përmbledhja e Kontratës” kthehet në dokumentin kyç të vendimmarrjes, duke synuar një balancë më të drejtë mes operatorëve dhe përdoruesve fundorë./ekofin.al
