Funksionarë dhe ish-funksionarë të drejtësisë kanë qenë të përfshirë në veprat penale të pastrimit të parave apo fshehjes së pasurisë përmes skemave të sofistikuara.
Këto janë gjetjet e raportit vjetor të Agjencisë së Inteligjencës Financiare për vitin 2024. Tipologjitë e referuara nga organet ligjzbatuese përfshijnë skemat e investimit në pasuri të paluajtshme apo shoqëri tregtare, si dhe fshehje të pasurive.
Konkretisht, raporti referon se shtetasi A është shkarkuar nga sistemi i Drejtësisë në vitin 2021, për deklarim të pamjaftueshëm në kriterin e pasurisë. Në një nga pikat e këtij vlerësimi, të cilën shtetasi A dështoi të provonte në favor të tij, ishte një marrëdhënie kontraktuale me shtetasin B. Për këtë marrëdhënie kontraktuale shtetasi A do të argumentonte se nuk kishte njohje personale mes tyre, përtej marrëdhënies normale të detyrimit të krijuar.
Nga informacionet e administruara, rezultoi se ky shtetas 3 vite pas largimit nga sistemi i drejtësisë, kishte investuar në blerjen e pasurive të paluajtshme, për një vlerë dukshëm nën vlerën e tregut. Nga verifikimet rezultoi se këto pasuri po bliheshin nga shtetasi B.
Në vijim, nga analiza e informacionit bankar rezultoi se një pjesë e fondeve të përdorura për këto investime, e kishin burimin nga akte huamarrjeje.
Nga analiza e bazuar në vlerën në treg të investimeve të kryera; investimet pranë një subjekti, me historik të mëparshëm marrëdhëniesh të dyshimtë detyrimi; pozicioni i favorshëm për ndërtim, në një zonë në zhvillim të kryeqytetit; mbulimi pjesor i investimit me huamarrje; subjekt i shkarkuar nga sistemi i drejtësisë, lindin dyshime në lidhje me investimin real të kryer nga shtetasi A, si dhe origjinën e këtyre fondeve, për rrjedhojë rasti u dërgua për investigim të mëtejshëm në organet e zbatimit të ligjit. /Ekofin.al

