Korporata Shqiptare e Investimeve (AIC) ka shpallur një thirrje të hapur për përzgjedhjen e një partneri privat për realizimin e projektit “Korpusi i Institucioneve të Pavarura dhe Qendra për Zhvillimin Multifunksional” në Tiranë. Nisma synon të zhvillojë një projekt të integruar me funksione administrative dhe ekonomike, duke përfshirë struktura publike dhe hapësira moderne shërbimi.
Praktikisht, në fokus të këtij konkursi janë dy ndërhyrje: ndërtimi i “Korpusit të Institucioneve të Pavarura” në bulevardin “Zhanë D’Ark” dhe zhvillimi i një “Qendre Shumëfunksionale” në zonën e ish-Fushës së Aviacionit.

Zona e parë, pranë ish-Fushës së Aviacionit në Njësinë Administrative nr. 7, parashikon një zhvillim të integruar me dy komponentë kryesorë: një pjesë publike dhe një pjesë private shumëfunksionale. Në pjesën publike përfshihet ndërtimi i një qendre shëndetësore në funksion të Ministrisë së Shëndetësisë, si dhe një palestër për strukturat e sigurisë, ndërsa komponenti privat do të zhvillohet nga investitori mbi bazën e kërkesës së tregut. Ky model i përzier synon të maksimizojë përdorimin e truallit, në një sipërfaqe të vlerësuar prej 50,000 m2 dhe të krijojë një ekosistem funksional ku shërbimet publike dhe aktiviteti ekonomik bashkëjetojnë.
Vendndodhja e kësaj zone konsiderohet strategjike, jo vetëm për shkak të aksesit të lartë rrugor dhe lidhjes me Unazën e Vogël dhe të Madhe, por edhe për shkak të dinamikës së fortë të zhvillimit që po përjeton kjo pjesë e qytetit. Prania e institucioneve si Këshilli i Lartë Gjyqësor, universitetet dhe struktura të tjera publike, e kthen këtë zonë në një nyje të re administrative dhe urbane, ndërsa projektet e shumta ndërtimore të miratuara tregojnë një tendencë të qartë drejt densifikimit dhe konsolidimit urban.
Në anën tjetër, zona e dytë në bulevardin “Zhanë D’Ark” synon krijimin e një kampusi të integruar për institucionet e pavarura kushtetuese dhe rregullatore. Në një sipërfaqe prej rreth 5,400 m², projekti synon të konsolidojë një qendër administrative moderne, me funksionim efikas dhe akses të lehtë për qytetarët. Pozicioni në një nga akset kryesore të qytetit dhe afërsia me institucione të rëndësishme shtetërore e bën këtë ndërhyrje kyçe për riorganizimin e funksioneve publike në Tiranë.
Qëllimi i konkursit është përzgjedhja e një projekti që garanton jo vetëm cilësi arkitektonike, por edhe funksionalitet të lartë, integrim urban dhe qëndrueshmëri mjedisore. AIC kërkon zgjidhje që respektojnë parimet e eficiencës energjetike, aksesueshmërisë dhe përdorimit racional të burimeve, duke i përshtatur ndërhyrjet me strukturën ekzistuese të qytetit.
Elementi kyç i garës lidhet me ofertën financiare: kandidatët duhet të garantojnë minimalisht 35% të sipërfaqes për Korporatën, ndërsa fitues do të shpallet ai që ofron përqindjen më të lartë mbi këtë prag, duke e kthyer praktikisht garën në një ankand mbi ndarjen e sipërfaqes ndërtimore.
Në fakt, ulja progresive e përqindjes që i mbetet shtetit – nga 45% në 40% dhe tani në 35% – tregon një ndryshim të qasjes së Korporatës drejt një modeli më tërheqës për investitorët, në një kohë kur projektet e mëdha urbane kërkojnë kapital të konsiderueshëm privat. Megjithatë, kjo qasje sjell në fokus debatin mbi balancën mes interesit publik dhe përfitimit privat, sidomos në projekte që zhvillohen mbi prona shtetërore në zona me vlerë të lartë si Tirana.
Afati për dorëzimin e aplikimeve është përcaktuar deri më 19 qershor 2026, ora 15:00, ndërsa procedura është e hapur për të gjithë subjektet, vendas dhe të huaj. /ekofin.al


