Shqipëria vijon të mbetet shumë larg objektivave të Bashkimit Evropian për arsimin dhe aftësimin e të rriturve, ndërsa vendi përballet me nivele të ulëta të aftësive digjitale, papunësi të lartë tek të rinjtë, emigrim dhe një sistem trajnimi që ende mbështetet fort tek projektet e donatorëve. Këto janë disa nga përfundimet e raportit të publikuar nga agjencia e BE-së, European Training Foundation (ETF).
Raporti evidenton se vetëm 1.6% e shqiptarëve të grupmoshës 25–64 vjeç morën pjesë në arsim ose trajnim gjatë vitit 2024, një nivel shumë larg objektivave të Bashkimit Evropian, i cili synon që 47% e të rriturve të përfshihen në mësim gjatë gjithë jetës deri në vitin 2025 dhe 60% deri në vitin 2030. Edhe vetë objektivat kombëtare të Shqipërisë mbeten dukshëm më të ulëta, me synimin për të arritur 15% pjesëmarrje deri në vitin 2026 dhe 25% deri në vitin 2030.
Sipas raportit, Shqipëria po përballet me probleme të thella në aftësitë bazë dhe ato digjitale. Rreth 54% e të rriturve nuk zotërojnë aftësi bazë digjitale, ndërsa rezultatet e nxënësve shqiptarë në testin ndërkombëtar PISA 2022 ranë ndjeshëm. Shqipëria mori 368 pikë në matematikë, 358 pikë në lexim dhe 376 pikë në shkencë, duke u renditur mes vendeve me performancën më të dobët.
Raporti nënvizon se këto dobësi po krijojnë një pengesë serioze për objektivat e Shqipërisë dhe të BE-së në ekonomi dhe tregun e punës, sidomos në një kohë kur ekonomia po kërkon gjithnjë e më shumë aftësi teknologjike dhe profesionale.
Problemet shfaqen edhe në tregun e punës. Norma e punësimit për grupmoshën 20–64 vjeç ishte 63.1% në vitin 2023, dukshëm nën mesataren e Bashkimit Evropian prej 75.3%. Ndërkohë, papunësia afatgjatë arriti në 12.7%, krahasuar me vetëm 2.1% në BE. Një nga treguesit më problematikë mbetet niveli i të rinjve NEET, pra ata që nuk janë as në arsim, as në punë dhe as në trajnim. Në Shqipëri kjo normë arriti në 24.6% për grupmoshën 15–29 vjeç, më shumë se dyfishi i mesatares europiane prej 11.2%. Papunësia rinore llogaritet rreth 25%.
ETF evidenton gjithashtu sfidat demografike që po përkeqësojnë situatën ekonomike dhe sociale. Shqipëria po përballet me plakje të shpejtë të popullsisë, emigrim të vazhdueshëm dhe norma shumë të ulëta lindshmërie. Sipas raportit, fertiliteti në vend është vetëm 1.2 fëmijë për grua, ndër më të ulëtit në Evropë. Ndërkohë, pesha e popullsisë mbi 65 vjeç, e cila ishte 13.4% në vitin 2011, arriti në 16.9% në vitin 2023 dhe pritet të kalojë 26% deri në vitin 2050.
Po kështu, raporti thekson përqendrimin e zhvillimit ekonomik dhe inovacionit në zonën Tiranë-Durrës. Kjo zonë përqendron 41.6% të popullsisë dhe mbi 50% të aktivitetit ekonomik të vendit, duke krijuar diferenca të forta me pjesën tjetër të Shqipërisë në aksesin në arsim, trajnim dhe punësim.
Dobësi të mëdha evidentohen edhe në arsimin profesional dhe fushat STEM. Vetëm rreth 20% e nxënësve të arsimit të mesëm ndjekin programe profesionale, ndërsa pjesëmarrja e vajzave në degët STEM mbetet vetëm rreth 16.6%, shumë poshtë objektivave evropiane.
Edhe universitetet shqiptare mbeten larg objektivave të BE-së. Vetëm 21.5% e studentëve në arsimin e lartë ndjekin degë STEM si teknologjia, inxhinieria apo shkencat natyrore. Raporti evidenton mungesën e laboratorëve modernë, pajisjeve teknologjike dhe infrastrukturës së nevojshme për zhvillimin e këtyre profileve.
Në nivel institucional, raporti thekson se sistemi i arsimit dhe trajnimit të të rriturve mbetet i fragmentuar dhe shumë i centralizuar. Koordinimi mes institucioneve kombëtare, pushtetit vendor dhe organizatave joqeveritare konsiderohet ende i dobët, ndërsa financimi varet në masë të madhe nga donatorët dhe projektet ndërkombëtare.
Shqetësues mbetet cilësia dhe akreditimi i ofruesve të trajnimeve. Sipas raportit, deri tani vetëm 9 ofrues janë akredituar në kuadër të reformës së re të sigurimit të cilësisë, një numër shumë i ulët krahasuar me nevojat e tregut. Ndërkohë, numri i ofruesve privatë të trajnimeve është tkurrur ndjeshëm. Nga më shumë se 800 ofrues që operonin më parë, aktualisht janë rreth 150, pas vendosjes së kritereve më të forta të licencimit dhe kontrollit.
Megjithatë, raporti vlerëson se Shqipëria ka bërë progres në ndërtimin e kuadrit ligjor dhe institucional për arsimin gjatë gjithë jetës, përmes reformave në “open learning”, njohjen e aftësive të fituara jashtë shkollës dhe lidhjen më të fortë të trajnimeve me tregun e punës. Por, sipas ETF, vendi mbetet ende shumë larg standardeve evropiane në pjesëmarrjen në trajnim, aftësitë digjitale, arsimin STEM dhe përfshirjen sociale. /ekofin.al
