Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës ka regjistruar rritjen më të lartë të trafikut të pasagjerëve në Europë gjatë muajit gusht 2026, në kategorinë e aeroporteve të mëdha që përpunojnë nga 10 deri në 25 milionë pasagjerë në vit.
Të dhënat e publikuara nga ACI EUROPE, të konsultuara nga ekofin.al, tregojnë se trafiku i pasagjerëve në TIA u rrit me 20.7% krahasuar me gushtin e vitit të kaluar, duke e vendosur Tiranën në krye të aeroporteve europiane të kësaj kategorie.
Pas Tiranës renditen Tel Avivi me rritje 19.5%, Tashkenti me 16.6%, Ankaraja me 13.3% dhe Venecia me 12.7%.
Rezultati i TIA-s është edhe më domethënës nëse krahasohet me ecurinë e përgjithshme të tregut europian. Sipas ACI EUROPE, trafiku i pasagjerëve në aeroportet e Europës u rrit me vetëm 3.1% në gusht, pas një rritjeje prej 3.9% në korrik. Në aeroportet e vendeve jashtë tregut EU+, ku përfshihet edhe Shqipëria, rritja ishte 6%.
Kjo do të thotë se ritmi i rritjes së Aeroportit të Tiranës ishte pothuajse shtatë herë më i lartë se mesatarja europiane gjatë gushtit.
Shqipëria rezulton gjithashtu ndër tregjet kombëtare me rritjen më të shpejtë të trafikut ajror. Në grupin e vendeve jashtë EU+, Maqedonia e Veriut regjistroi rritje prej 34.8%, Mali i Zi 28.6%, Shqipëria 20.7%, Izraeli 19.5%, Armenia 14.2%, Moldavia 12.6% dhe Uzbekistani 10.5%.
Rritja e Tiranës vjen në një periudhë kur tregu europian i aviacionit po përballet me një mjedis më të vështirë ekonomik dhe gjeopolitik. ACI EUROPE evidenton se tensionet gjeopolitike, rritja e çmimeve të karburantit, tarifat më të larta të fluturimeve dhe presionet mbi koston e jetesës po ndikojnë në tregje të ndryshme europiane.
Ndërkohë, TIA ka vijuar të regjistrojë rritje të fortë të numrit të pasagjerëve.
Siç raportoi më herët ekofin.al, vetëm gjatë gushtit 2026 Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës përpunoi 1,705,825 pasagjerë, nga 1,413,064 në të njëjtin muaj të vitit të kaluar. Diferenca është rreth 292,800 udhëtarë më shumë brenda vetëm një muaji.
Në tetë muajt e parë të vitit 2026, numri i udhëtarëve që kanë kaluar përmes Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës ka kaluar 9.37 milionë.
Rritja e pasagjerëve është shoqëruar edhe me shtim të ndjeshëm të fluturimeve. Në gusht u regjistruan 9,692 lëvizje avionësh, nga 8,106 në gusht 2025, ose 1,586 më shumë. Në terma vjetorë, numri i lëvizjeve të avionëve u rrit me rreth 19.6%.
Ecuria e vitit 2026 vijon kështu një periudhë disavjeçare zgjerimi të shpejtë për aeroportin. Në vitin 2025, TIA arriti në rreth 11.6 milionë pasagjerë, ose 249% më shumë krahasuar me vitin 2019.
Rritja e trafikut është shoqëruar me investime për zgjerimin dhe modernizimin e infrastrukturës aeroportuale. Që prej marrjes së menaxhimit nga Kastrati Group në dhjetor 2019, sipas TIA-s, janë investuar mbi 100 milionë euro në infrastrukturë dhe operacione, përfshirë zgjerimin e terminalit, shtimin e kapaciteteve operacionale, sistemet moderne të check-in-it dhe sigurisë, e-gates dhe teknologji të tjera aeroportuale.
Sipërfaqja e terminalit është trefishuar gjatë fazave të para të investimeve, ndërsa projekti i zgjerimit parashikon që ajo të arrijë rreth 100 mijë metra katrorë. Investimet kanë përfshirë edhe 15 mijë metra katrorë shtesë në zonën e mbërritjeve dhe gjashtë pozicione të reja parkimi për avionët, duke e çuar kapacitetin në 29 pozicione.
Paralelisht, aeroporti po investon në modernizimin e menaxhimit operacional. Në maj 2026, TIA njoftoi përzgjedhjen e një sistemi të ri të integruar të menaxhimit aeroportual, i projektuar për automatizimin dhe koordinimin e proceseve kryesore në kushtet e rritjes së vazhdueshme të trafikut.
Të dhënat e fundit të ACI EUROPE konfirmojnë përmasat e këtij zgjerimi. Ndërsa aeroportet e mëdha europiane, si kategori, regjistruan një rritje mesatare prej 4.8% në gusht, Tirana u zgjerua me 20.7%, më shumë se katërfishi i ritmit të kësaj kategorie.
Me rritjen e vazhdueshme të pasagjerëve, zgjerimin e rrjetit të destinacioneve dhe investimet në kapacitete të reja, Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës po konsolidon peshën e tij në tregun rajonal të aviacionit, ndërsa të dhënat e gushtit e vendosin në krye të aeroporteve të mëdha europiane për ritmin e rritjes së trafikut. /ekofin.al


