Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK) ka shpallur një tjetër njoftim për dhënie me qira të një njësie shërbimi në Tiranë, në Rrugën “Myslym Shyri”, një nga zonat më të kërkuara të kryeqytetit.
Sipas të dhënave zyrtare, pasuria ndodhet në katin -1, ka një sipërfaqe prej 144.49 m² dhe është plotësisht e investuar.
Çmimi i qirasë nis nga 140,000 lekë në muaj, ndërsa pasuria është nën administrim shtetëror.
AAPSK bën me dije se të gjithë të interesuarit duhet të ndjekin procedurën zyrtare të aplikimit, e cila përfshin:
1.Plotësimin e formularit të interesit, që mund të shkarkohet nga linku në bio i profilit zyrtar të agjencisë në Instagram.
2.Dorëzimin e formularit fizikisht ose me postë në adresën zyrtare të institucionit.
Agjencia thekson se vetëm aplikimet e dorëzuara nëpërmjet formularit zyrtar do të merren parasysh.
Ky është njoftimi i dytë brenda pak ditësh nga AAPSK për pasuri të vendosura në zonën e “Myslym Shyrit”.
Një ditë më parë, agjencia bëri publik edhe njoftimin për dhënien me qira të lokalit luksoz “Monopol”, në pronësi të shtetasit të shpallur në kërkim Aurelinjo Kalaveri (alias Aurel Hoxha). Edhe pasuria e shpallur sot për dhënie me qira i përket të njëjtit person.
Këto zhvillime tregojnë për vazhdimin e procesit të vënies në përdorim të pasurive të sekuestruara, me qëllim shfrytëzimin e tyre ekonomik dhe rritjen e transparencës në administrimin e aseteve shtetërore./ekofin.al

