Gjyqi i shumëpritur i Komisionit Federal të Tregtisë (FTC) kundër Amazon ka nisur këtë javë, me praktikat e anulimit të kompanisë së-commerce nën lupë.
Padia, e ngritur në vitin 2023 nga administrata Biden, akuzon Amazon se ka mashtruar miliona konsumatorë për t’u regjistruar në shërbimin e abonimit Prime përmes dizenjove mashtruese të ndërfaqes së përdoruesit dhe duke e bërë të vështirë anulimin. “Në mënyrë specifike, Amazon përdori dizajne manipulimi, shtrëngimi ose mashtrimi të njohura si ‘dark patterns’ për të mashtruar konsumatorët që të regjistroheshin në abonimet Prime me rinovim automatik,” thuhet në ankesën e FTC-së.
Sipas padisë, Amazon e bëri me qëllim shumë më të vështirë anulimin e abonimeve krahasuar me regjistrimin, duke krijuar një proces “labirintik” anulimi që synonte të shpërqendronte ose të pengonte konsumatorët nga ndjekja e synimit të tyre. “Në fund të fundit, as Amazon dhe as të pandehurit individualë nuk bënë asgjë të gabuar,” tha një zëdhënës i Amazon për CNN. “Ne mbetemi të bindur se faktet do të tregojnë se këta drejtues kanë vepruar siç duhet dhe gjithmonë kemi vënë klientët të parët.”
Prime, që kushton 14.99 dollarë në muaj ose 139 dollarë në vit, është një nga shërbimet kryesore të Amazon dhe gjeneron miliarda dollarë të ardhura. Fillimisht nisi si një shtesë për shpërndarje të shpejtë, por sot është zgjeruar në një shërbim me shumë funksione, që ofron argëtim streaming, shpërndarje ushqimore dhe karburanti, përfitime shtesë për dërgesa, si dhe oferta ekskluzive për abonentët. Amazon nuk e publikon numrin e abonentëve në SHBA, por një analizë e palës së tretë nga Consumer Intelligence Research Partners vlerëson se në mars 2025 kompania kishte 197 milionë klientë.
Që nga viti 2016, Amazon dyshohet se ka mbajtur një proces të gjatë e me shumë hapa anulimi, që e quante “Iliad Flow”, sipas “eposit të Homerit për Luftën e Trojës, të gjatë dhe të vështirë”, tha FTC. Përveç kontaktimit me shërbimin ndaj klientit, Amazon nuk ofronte asnjë alternativë tjetër për konsumatorët që donin të anulonin përveçse të kalonin nëpër këtë proces. Sipas padisë, kalimi nëpër “Iliad Flow” kërkonte që klientët të “navigonin një proces anulimi me katër faqe, gjashtë klikime dhe pesëmbëdhjetë opsione”, që përmbanin pengesa të shumta — përfshirë paralajmërime për humbje përfitimesh, zbritje promocionale dhe oferta — të destinuara për t’i devijuar ata.
Ndërkohë, regjistrimi në Prime ishte i thjeshtë dhe kërkonte vetëm dy klikime, tha FTC, duke shtuar se kompania shpesh fshihte detajet mbi faturimin e përsëritur në shkrim të imët. Që atëherë, Amazon ka bërë ndryshime: tashmë ka një faqe anulimi ku paraqiten qartë opsionet e anëtarëve për të përfunduar ose pezulluar anëtarësimin Prime./Përshtati nga CNN, ekofin.al
