Duke i dhënë avantazhe tarifore SHBA-së, BE-ja rrezikon të shkelë rregullat ndërkombëtare tregtare të OBT-së. Ndikimi politik mund të jetë i konsiderueshëm.
Si një mbrojtëse e zjarrtë e rendit tregtar të bazuar në rregulla, BE-ja është vënë nën akuzë që prej marrëveshjes me SHBA-në, se ka tradhtuar angazhimet e saj ndaj OBT-së dhe multilateralizmit. Por, a është vërtet kështu?
Në shikim të parë, marrëveshja e 21 gushtit shkel hapur rregullat e OBT-së: Presidenti amerikan ka kërkuar në mënyrë të njëanshme tarifa preferenciale për importet amerikane në BE, gjë që bie ndesh me parimin e Kombit më të Favorizuar (MFN).
“Nga këndvështrimi i rregullave të OBT-së, marrëveshja është diskriminuese. Ne kemi rregulla mjaft të qarta, përkatësisht parimin MFN: çdo avantazh tarifor i dhënë një anëtari të OBT-së duhet t’u jepet edhe të gjithë anëtarëve të tjerë,” tha për Euronews Julien Blanquart, nga firma ligjore SheppardMullin.
Duke aplikuar tarifa 0% për mallrat industriale dhe disa produkte bujqësore nga SHBA, BE-ja ofron realisht një avantazh që diskriminon partnerët e tjerë ndërkombëtarë, të cilët nuk përfitojnë nga i njëjti akses në tregun e saj.
Megjithatë, Komisioni Evropian thekson një përjashtim nga parimi MFN, të përcaktuar në nenin 24 të OBT-së, që lejon zona të tregtisë së lirë ose marrëveshje të përkohshme, me kusht që ato të mbulojnë shumicën e tregtisë. “Marrëveshja është pjesë e një përpjekjeje për të liberalizuar dhe ulur tarifat në mënyrë reciproke,” tha një zyrtar i lartë i BE-së, duke iu referuar deklaratës së përbashkët të publikuar nga SHBA dhe BE më 21 gusht, ku thuhet se marrëveshja është “një hap i parë në një proces që mund të zgjerohet më tej me kalimin e kohës për të mbuluar fusha shtesë dhe për të vijuar përmirësimin e aksesit në treg si dhe forcimin e marrëdhënieve tregtare dhe investimeve.”
Ndikimi politik
Blanquart theksoi se kuadri i marrëveshjes së paraqitur për momentin është vetëm një deklaratë politike dhe jo një traktat ligjërisht detyrues.
“Në këtë fazë, gjithçka varet nga mënyra se si marrëveshja aktuale do të përkthehet në një marrëveshje përfundimtare mes BE-së dhe SHBA-së, dhe se si ajo do të njoftohet në OBT,” tha ai, duke shtuar: “Derisa të ketë një tekst zyrtar, përputhshmëria e saj me rregullat mbetet ligjërisht e brishtë.”
Sipas juristit, një vend anëtar i OBT-së mund të vendosë ta çojë çështjen para Organit të Zgjidhjes së Mosmarrëveshjeve të OBT-së dhe të sfidojë vlefshmërinë e saj.
Megjithatë, ky organ është paralizuar që prej refuzimit të SHBA-së për të rinovuar mandatet e disa gjyqtarëve të tij.
Gjithsesi, mund të ketë pasoja politike për BE-në, e cila paraqitet si kampione e multilateralizmit.
“Nëse shpallet në kundërshtim me rregullat e OBT-së, kjo do të ishte një tjetër goditje për multilateralizmin,” shtoi Blanquart./Përshtati nga Euronews, ekofin.al
