Nga Prof. Asoc. Dr Majlinda Keta* për ekofin.al
Së pari, duhet të bindemi të gjithë se edhe në këtë sfidë duhet të priremi nga parimi kushtetues “Interesi më i lartë është ai i fëmijës”. Ai duhet të jetë parimi më i lartë edhe në reagimin dhe përgjegjësinë tonë ndaj bullizmit kibernetik dhe pasojave për fëmijët tanë si shoqëri shqiptare, familje, shkollë, komunitet akademik apo komunitet mediatik. Në zbatim të këtij parimi, përkundrejt opsioneve tona për diskutim ne nuk po shprehim luftë me teknologjinë, por mbrojmë zhvillimin dhe ndërtimin gradual të autonomisë digjitale të fëmijës. Mbrojtës më të sigurt se ligji nuk ka, por imunitet më të madh se edukimi për përgjegjësi dhe autonomi të fëmijës përkundrejt botës digjitale gjithashtu nuk ka.
Kjo autonomi digjitale nuk fillon kur fëmijës i hapim apo i lejojmë të hapë një llogari në rrjete. Ajo fillon kur fëmijën e edukojmë dhe e aftësojmë të kuptojë fuqinë që ajo llogari shpreh dhe ushtron mbi të por edhe për të gjithë ato që do të jenë në komunikim me të.
Studimi Kombëtar (2026) mbi bullizmin kibernetik mes bashkëmoshatarëve në arsimin parauniversitar në Shqipëri, nga Keta&Sinaj&Nasufi, i mbështetur nga AKKSHI dhe e Ministria e Arsimit, ka ofruar për politikëbërësin shqiptar të dhëna që pohojnë se bullizmi kibernetik në nivel kombëtar është në nivelin e të dhënave për Evropën; 1 në 2 fëmijë shpenzojnë 2-4 orë në ditë mbi ekrane, 1 në 4 shpenzon 4- 8 orë dhe 6 % e të intervistuarve edhe mbi 8 orë. Nga komunikimi digjital mes tyre pohohet se bullizimi përmes thashethemeve pohohet nga 44% e tyre; fyerjet nga 31%; vënia e nofkave nga 22% sikurse përmes akuzave të padrejta janë bullizuar 22 % e tyre. Këto forma viktimizimi kanë në shifra referencat me gjininë, njësinë rajonale arsimore, të qenit në shkollë publike ose jopublike etj. Është urgjencë kombëtare të hartohet një politikë kombëtare dhe të merren masat përtej gjithë angazhimeve të Ministrisë së Arsimit që në këtë vit ka progresuar shumë.
Askush prej nesh nuk mund të ndalojë fëmijën që të ndërtojë procesin e përfshirjes së tij në botën digjitale pasi ai ka të drejtë të edukohet dhe të jetë pjesmarrës në të, por, fëmija nuk duhet të hyjë në të me të njëjtat kushte si një i rritur. Kjo pasi:
- Vendimarrjet e orientuara nga parimi i zhvillimit të fëmijës, referuar të dhënave nga Studimi, udhëzimet europiane na detyrojnë të normojmë ligjërisht moshën për profile private kundër përmbajtjes së dëmshme për to në rrjete por edhe prej bullizmit kibernetik, tashmë fenomen shqetësues mes nesh.
- Përgjegjësitë duhet të balancohen mes shumë aktorëve në jetën e fëmijës. Barra nuk mund t’i lihet as edhe prindit por edhe as vetëm shkollës. Është shteti, ligji që duhet ta mbrojë një 10, 11, 12, 13 vjecar nga algoritmi destruktiv, antiedukativ dhe viktimizues. Ky është një algoritëm pa kufi.
- Për Shqipërinë, argumenti i bullizmit kibernetik bazuar në evidencë nga studimet, policia e shtetit, Alo 116, Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike e detyrojnë shtetin shqiptar për hartimin e një politike publike shumë të mirëmenduar. Kjo, edhe në zbatim të direktivave të Komisionit Evropian për Shqipërinë.
Propozimi im bashkohet me ligjbërjet në disa vende të botës, përfshirë edhe BE, që janë shprehur për ndalimin deri në 13 vjeç. Për mua ky duhet të jetë vetëm kati i parë, jo ndërtesa e tërë. UNICEF paralajmëron se kufizimet vetëm sipas moshës nuk mjaftojnë dhe mund të kenë pasoja të padëshiruara: fëmijët mund t’i anashkalojnë, të kalojnë në platforma më pak të rregulluara ose të humbasin edhe mundësi të vlefshme për mësim, komunikim dhe shprehje. UNICEF argumenton se duhet rregulluar edhe burimi i rrezikut, dizajni dhe praktikat e platformave. Ju kujtohet sjellja jonë pas ndalimit nga qeveria të të Tik Tok….
Nën 13 vjeç të NDALOHET”, por vetëm nën një arkitekturë edukative familje shkollë për 0–12 vjeç do të sigurohet mbrojtje e fortë, pa llogari të pavarura për fëmijët në rrjete sociale. Shkolla shqiptare të pasqyrojë në kurrikul, përshtatur me moshën edukimin digjital. Më pas, 13–15 vjeç, të pranohet hyrje e mbikëqyrur dhe e mbrojtur ku mbi të gjitha të standardizohen platformat. gjykoj për 15, 16 vjeçarët të pranohet autonomi progresive mbështetur fuqishëm edukim për qytetarinë dhe demokracinë digjitale.
Me këtë lloj legjislacioni të jemi të bindur që nuk po ua mbyllim fëmijëve shqiptarë botën digjitale. Jo. Në realitet po refuzojmë t’ua dorëzojmë fëmijërinë e tyre, prindërimin, edukimin algoritmeve përpara se të kenë fituar kapacitetin nga shteti, familja, shkolla, për t’i kuptuar dhe përballuar rrisqet nga ato.
*Drejtuese e Studimit Kombëtar mbështetur nga AKKSHI
