Shërbimet për bizneset në sportelet e QKB-së do të mbyllen përfundimisht. Vendimi i qeverisë i publikuar në Fletoren Zyrtare përditëson procedurat e regjistrimit dhe publikimit në QKB. Në vend të kësaj, cdo biznes dhe individ do të duhet të aplikojë në portalin “E-Albania”.
Me marrjen e aplikimit, nëpunësi i autorizuar (regjistruesi) i QKB së verifikon me hollësi nëse aplikimi dhe dokumentet shoqëruese janë në përputhje me kërkesat e ligjit, të regjistrimit të biznesit, si dhe verifikon veprimet e kryera nga personi i autentifikuar elektronikisht.
Çdo vendim i QKB-së në lidhje me miratimin, pezullimin apo refuzimin e aplikimit i njoftohet në mënyrë elektronike aplikantit në portalin “e-Albania”, si dhe në faqen zyrtare të QKB së, jo më vonë se 1 (një) ditë nga data e paraqitjes së aplikimit.
Ndërkohë vendimi cilëson se çdo person i interesuar, pa qenë i detyruar të identifikohet, mund të kryejë kërkime në të dhënat e publikuara nga QKB-ja në faqen zyrtare për çdo të dhënë të regjistruar, me përjashtim të adresës së banimit të individëve.
Këto kërkime mund të kryhen elektronikisht në faqen zyrtare të QKB-së. Gjithashtu, çdo person ka të drejtë të marrë, në format elektronik, ekstrakte për të dhënat e regjistruara të çdo subjekti, ndërsa, në format shkresor, mund të marrë kopje të dokumenteve shoqëruese, të depozituara në regjistër, kundrejt pagesës së tarifës përkatëse. /ekofin.al
