Në fund të shtatorit 2024, detyrimet e prapambetura të qeverisë qendrore dhe asaj vendore kanë arritur në 10.5 miliardë lekë, ose rreth 105 milionë euro, duke shënuar një rritje të ndjeshme krahasuar me muajin qershor. Të dhënat e bëra publike nga Ministria e Financave tregojnë se kjo rritje ka kapërcyer 600 milionë lekë, ndërsa krahasuar me fundin e vitit të kaluar, vlera e detyrimeve është rritur me 2.7 miliardë lekë.
Qeveria qendrore ka kontribuar me 7 miliardë lekë të detyrimeve të prapambetura, ndërsa pushteti vendor është përgjegjës për 3.5 miliardë lekë. Rritja më e madhe ka ardhur nga shtimi i detyrimeve të qeverisë qendrore me 1.3 miliardë lekë, ndërsa pushteti vendor ka shënuar një ulje prej 0.7 miliardë lekësh në krahasim me muajin qershor.
Kategoritë që kanë ndikuar në këtë rritje janë kryesisht investimet publike, të cilat janë shoqëruar me një numër të madh kantieresh gjatë këtij viti për përmirësimin e infrastrukturës dhe shërbimeve publike.
Po ashtu, një pjesë e konsiderueshme e detyrimeve është e lidhur me vendimet gjyqësore për largime të padrejta nga puna dhe ankimime të bizneseve, të cilat kanë arritur në 2.4 miliardë lekë, një rritje e ndjeshme nga 1.6 miliardë lekë që regjistroheshin në fund të vitit të kaluar.
