Pavarësisht një rritje të ngadaltë të numrit të terminaleve POS në Shqipëri, të dhënat e fundit nga Banka e Shqipërisë tregojnë se gjatë tremujorit të tretë të këtij viti janë instaluar 1,721 terminale të rinj, duke e çuar totalin në 23,502. Kjo përfaqëson një rritje prej vetëm 8% krahasuar me periudhën korrik-shtator. Në këtë kuadër, numri i terminaleve EFTPOS – ato që përdoren kryesisht për pagesa me kartë në dyqane dhe markete është 23,496, ndërsa 255 janë terminale virtuale për transaksione online.
Gjatë muajit shtator, në total janë realizuar rreth 1.7 milionë transaksione me një vlerë totale prej 74 milionë lekësh, dhe shuma e përgjithshme e pagesave të realizuara përmes terminaleve POS ka arritur 583 milionë lekë deri në fund të tremujorit të tretë.
Megjithatë, përdorimi i këtyre terminaleve nuk ka arritur nivelin e dëshiruar, sidomos në bizneset e vogla. Disa prej tyre, për shkak të komisioneve të larta që bankat ngarkojnë për pagesat me kartë, shpesh nuk pranojnë pagesa me POS për transaksione të vogla, duke i dhënë përparësi pagesave në cash. Komisionet e bankave për përdorimin e POS varen nga 2% deri në 3.5%, një barrë kjo që e bën të vështirë për bizneset e vogla ta justifikojnë përdorimin e kartave për shuma të ulëta.
Në përpjekje për të ndryshuar këtë situatë dhe për të inkurajuar një përdorim më të gjerë të kartave, qeveria ka paralajmëruar krijimin e një grupi pune brenda vitit 2025, për të shqyrtuar mundësinë e uljes së këtyre komisioneve dhe për të shtuar numrin e bizneseve që ofrojnë mundësinë e pagesave pa para cash. Synimi është të rritet përdorimi i pagesave dixhitale dhe të ulë rëndësinë e parave cash në ekonomi.
