OTP Bank Albania mori pjesë në takimin e organizuar nga Ambasada Hungareze dhe Agjencia Shqiptare për Zhvillimin e Investimeve (AIDA), në kuadër të Ditës për Mbështetjen e Investitorëve Hungarezë.
Ardhja në Shqipëri e grupit më të madh bankar hungarez, me ekspansion në Evropën Qëndrore dhe Lindore, ka shënuar një moment kthese sa i përket investimeve hungareze në vendin tonë.
Ekofin.al konsultoi të dhënat e Bankës së Shqipërisë në lidhje me trendin e investimeve hungareze. Deri në vitin 2017, investimet hungareze në Shqipëri ishin thuajse të papërfillshme. Gjërat nisën të lëviznin me hyrjen në tregun e aviacionit të kompanisë low cost, Wizz Air, por përsëri deri në fund të vitit 2018 shifrat ishin të ulëta, rreth 3.3 milionë Euro.
Ndryshimi që përcaktoi edhe trendin e rritjes masive të investimeve hungareze në Shqipëri ka ardhur në vitin 2019, që përkon me blerjen e bankës “Societe Generale Albania” nga grupi hungarez OTP. Në fund të vitit 2019, investimet hungareze në Shqipëri “kërcyen” në 85 milionë Euro dhe nga ai moment nuk janë ndalur dhe thuajse janë pesë-fishuar brenda 5 viteve të fundit.

Prania e OTP Bank në Shqipëri ka tërhequr investitorë të tjerë hungarezë, madje edhe grupe shumë të rëndësishme, siç ishte rasti i 4iG, që u përfshi në tregun e telekomunikacionit me blerjen e One Albania. Gjithashtu vetë OTP u zgjerua më tej, duke blerë Alpha Bank në vitin 2021 dhe tashmë rezulton banka e tretë më e madhe në vend në portofol kredie, me mbi 1 miliardë Euro në fund të 3-mujorit të tretë të këtij viti.
Tashmë, investitorët hungarezë po e shohin gjithnjë e më shumë Shqipërinë si destinacion investimi dhe këtë e konfirmoi në takim edhe Ambasadorja e Hungarisë në Tiranë, Sh.S. Znj. Martina Kasnyik.
“Ky është takimi i parë i këtij lloji që zhvillojmë në Shqipëri dhe besojmë që do të rezultojë në rritjen e investimeve hungareze në sektorë të rëndësishëm të ekonomisë shqiptare”, theksoi diplomatja.
Ndërsa drejtuesja e AIDA-s. Laura Saro informoi se në fund të tre-mujorit të dytë të këtij viti, investimet hungareze në Shqipëri kanë arritur në 365 milionë Euro.
“Me mbi 35 kompani hungareze që operojnë në Shqipëri, dhe 365 milionë euro të investuara në vendin tonë, ne jemi këtu për të forcuar edhe më tej bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve tona”, u shpreh Drejtoresha e AIDA-s.
Në takim ishte e pranishme edhe zv. Ministrja e Ekonomisë, znj. Blerta Rama, si edhe përfaqësues të bizneseve hungareze që operojnë në Shqipëri. Gjatë diskutimeve, pjesëmarrësit shkëmbyen mendime mbi përmirësimet e nevojshme në mjedisin e biznesit shqiptar, duke nënvizuar rëndësinë e lehtësimit të procedurave dhe krijimit të kushteve më të favorshme për tërheqjen e investitorëve të huaj.
OTP Bank Albania mbetet e angazhuar për të shtuar më tej kreditimin, në mbështetje të bizneseve, familjeve shqiptare dhe zhvillimit ekonomik të vendit. Kjo u theksua edhe në një intervistë të fundit mediatike që dha Kryetari i Bordit dhe CEO i OTP Group, Dr. Sándor Csányi, i cili rikonfirmoi se OTP ka një strategji për qëndrim afatgjatë në Shqipëri, me ambicjen për t’u rritur dhe zgjeruar më tej. OTP do të vijojë të mbështesë sektorë prioritarë, si infrastruktura, turizmi, bujqësia dhe industria ushqimore. /ekofin.al
