Kreu i Shoqatës Shqiptare të Bankave, njëherësh CEO i OTP Bank Albania, Bledar Shella, vuri në dukje momentin shumë të mirë të zhvillimit të sektorit bankar dhe kontributin e tij në mbështetjen e rritjes ekonomike të vendit dhe procesin e integrimit. Z. Shella i shprehu këto qëndrime në konferencën ““Roli i bankës qendrore dhe sistemit bankar në rrugën drejt BE-së”, që u zhvillua sot në Tiranë, nga Banka e Shqipërisë dhe Shoqata Shqiptare e Bankave.
Shella tha se sektori bankar paraqitet shumë më i konsoliduar, ndërkohë që edhe treguesit e fundit e dëshmojnë këtë. Ai vuri në dukje se raporti i kredive me probleme ka rënë në 4.58%, niveli më I ulët në 16 vitet e fundit. Rritja vjetore e depozitave shënoi 4.1% dhe 63% e numrit të pagesave kryhet përmes kanaleve elektronike. Ndërsa vlera e përgjithshme e pagesave në këto kanale është rritur në 41% dhe 34% e llogarive bankare aktive janë të aksesueshme nga interneti.
Ai theksoi se, veprimtaria bankare, prej disa vitesh, është duke iu përshtatur ndryshimeve rregullative në përputhje me standardet e BE-së, teksa puna po vijon me përparësi në avancimin e risive dhe praktikave më të mira europiane në fushën e bankingut. Por në procesin e integrimit dhe në atë të ndryshimeve ligjore e rregullatore, ai kërkoi më shumë koordinim.
“Ne sapo mbyllëm me sukses Open Banking. Tani presim vendimin për të qenë pjesë e SEPA-s. Digjitalizimi, duke zbatuar kërkesat e rrepta për sigurinë kibernetike dhe për mbrojtjen e të dhënave personale, ka përfshirë çdo aspekt të veprimtarisë bankare që nga on-boarding, nënshkrimi elektronik, shërbimet, pagesat utilitare, pagesat për shërbimet publike, kontrolli i llogarisë, këmbimet, etj., të gjitha në një telefon smart. Ndërsa me ligjin për llogarinë bazike, tashmë ekziston produkti për të tërhequr më shumë qytetarë në bankë”, u shpreh Kryetari i Shoqatës Shqiptare të Bankave.
Shella informoi se, interesi i industrisë bankare është se si do të veprohet me afatet për plotësimin e MREL për bankat sistemike, kur do të kemi ligj të ri për bankën qendrore dhe bankat e nivelit të dytë, dhe si mund të ndryshohet skema e sigurimit të depozitave, dhe kur do të jemi gati për instant payments.
“Tani nuk ka më kohë. Ndoshta para disa vitesh ishim ne që kërkonim te autoritetet më shumë durim dhe shtyrje të afateve të zbatimit të standardeve për sa kohë nuk dukej në horizont një datë e afërt e anëtarësimit në BE. Sot flasim ndryshe. Sepse kemi një horizont kohor të përcaktuar – viti 2030. Dhe në këtë afat kohor industria bankare nuk mund të mos jetë pjesë kontribuese, mbështetëse dhe zbatuese e reformave që na presin. Më lejoni të theksoj se ne jetojmë në një kohë ku zhvillimet janë dinamike dhe gjërat ndryshojnë vazhdimisht. Interesi ynë është maksimal se si do të veprohet me afatet për plotësimin e MREL për bankat sistemike, kur do të kemi ligj të ri për bankën qendrore dhe bankat e nivelit të dytë, si mund të ndryshohet skema e sigurimit të depozitave dhe kur do të jemi gati për instant payments,” tha ai.
Ai veçoi rolin e industrisë bankare dhe kontributin e saj në zhvillimin e ekonomisë.
“Shoqata Shqiptar e Bankave është krenarë që, pasi kaluam pasojat e krizës së 2008 – 2010 dhe ato të viteve 2019 e mbrapa (tërmeti, pandemia, lufta në Ukrainë, inflacioni), industria bankare rezultoi e fuqizuar, e mirëkapitalizuar sipas kërkesave të Bankës së Shqipërisë, me rritje të veprimtarisë kredituese, më shumë besim të publikut te bankat, më shumë digjitalizim dhe më shumë hapje ndaj publikut. Këtë trend pozitiv duhet ta forcojmë dhe përmirësojmë gjatë procesit të reformave që na bashkojnë me BE-në”, deklaroi Shella. /ekofin.al
