Rritja e nivelit të sektorit të turizmit në Shqipëri dhe përafrimi i tij me standardet ndërkombëtare të shërbimit do të jetë një nga fushat prioritare të strategjisë së re së turizmit 2024-2030.
Ngritja e kapaciteteve kërkon që të përmirësohet, në radhë të parë, arsimi profesional, duke u siguruar që kurrikulat në universitete, shkolla profesionale publike dhe institucione të tjera arsimore të pasqyrojnë tendencat më të fundit të tregut dhe nevojat specifike të industrisë së turizmit. Kjo përfshin integrimin e skenarëve në kohë reale në kurrikulë dhe ofrimin e programeve të specializuara që plotësojnë nevojat në zhvillim të sektorit të turizmit.
Një komponent integral i kësaj qasjeje gjithëpërfshirëse për ngritjen e kapaciteteve duhet të përfshijë nxitjen e përfshirjes, veçanërisht duke inkurajuar pjesëmarrjen e grave në nismat e turizmit. Duke integruar përfshirjen gjinore në këto programe arsimi dhe trajnimi, Shqipëria mund të garantojë rritjen e larmishmërisë dhe gjithëpërfshirjes në sektorin e turizmit. Kjo qasje jo vetëm që promovon barazinë, por mbështetet gjithashtu në një gamë më të gjerë perspektivash dhe aftësish, duke kontribuar në një industri turizmi më të qëndrueshme dhe konkurruese, thuhet në dokument.
Ministria e Arsimit dhe Sportit raporton se ka 2900 nxënës të regjistruar në programet e hoteleri-turizmit në shkollat publike profesionale dhe 2312 studentë që ndjekin studime të ngjashme në institucionet e arsimit të lartë, numër i cili në 2030 parashikohet të arrijë në 4687 nxënës në shkolla profesionale dhe 3810 studentë me përmirësimin e infrastrukturës dhe kurrikulës;
Në vitin 2023, INSTAT raportoi se kishte 42, 698 individë të punësuar drejtpërdrejt në sektorin e turizmit. Nisur nga rritja e kërkesës për shërbime turistike, rritja e numrit të studentëve që ndjekin arsimin për hoteleri-turizëm, si dhe dëshira në rritje për të punuar në këtë sektor, parashikohet që deri në vitin 2030, numri i të punësuarve në industrinë e turizmit në Shqipëri do të arrijë në 73, 778 persona, duke reflektuar një rritje të përgjithshme të sektorit të turizmit./ekofin.al
