Në tremujorin e dytë të vitit, Banka e Shqipërisë ka rritur ndjeshëm ndërhyrjet në tregun e parasë, duke kryer operacione të shumta për injektimin e likuiditetit. Sipas të dhënave të publikuara, injektimi mesatar ditor përmes operacioneve injektuese të likuiditetit me maturim 1-13 javë ka arritur në 44.55 miliardë lekë, një rritje e dukshme krahasuar me 22.70 miliardë lekë që rezultonte në tremujorin e parë dhe 45.40 miliardë lekë në të njëjtën periudhë të vitit 2023.
Një nga objektivat kryesorë të Bankës së Shqipërisë është rritja e rezervës valutore, për të cilën janë zhvilluar gjithsej shtatë ankande për blerjen e valutës gjatë tremujorit të dytë. Në këto ankande, banka ka blerë 101.60 milionë euro, duke shënuar një rritje të ndjeshme nga 32.60 milionë euro në tremujorin e kaluar. Mesatarja e blerjes në këto ankande ka qenë 14.50 milionë euro, duke reflektuar angazhimin e Bankës për të forcuar pozitat e saj valutore.
Përveç blerjeve nëpërmjet ankandeve, BSH ka realizuar gjithashtu ndërhyrje direkte në tregun valutor, duke blerë 137.60 milionë euro. Këto ndërhyrje janë të fokusura në përmbushjen e objektivave të politikës monetare dhe stabilitetit financiar, duke ndihmuar në ruajtjen e ekuilibrave të tregut.
Për vitin 2024, Banka e Shqipërisë ka planifikuar të blejë nga 250 në 330 milionë euro përmes ankandeve, një strategji e cila synon të rrisë akoma më tej rezervat valutore dhe të mbështesë stabilitetin ekonomik të vendit./ekofin.al
