Kroacia planifikon të rrisë pragun e deklarimit të tatimit mbi vlerën e shtuar (TVSH) për kompanitë në 50,000 euro nga 40,000 euro, për të reflektuar normën e lartë të inflacionit, u shpreh Ministria e Financave.
Me këtë masë, numri i kompanive që paguajnë TVSH do të zbresë me 7500 ose 5%, referuar propozimit të Ministrisë së Financave për një reformë tatimore të publikuar në faqen zyrtare të qeverisë.
Inflacioni kumulativ nga viti 2018 deri në 2024 ishte 23.7%, thuhet në njoftim.
Reforma e propozuar tatimore përfshin legjislacionin e ri për rezidencat e banimit që do të hyjë në fuqi në fillim të vitit të ardhshëm.
Ligji i ri ka për qëllim banesat që përdoren me qira afatshkurtër nga turistët, si dhe lehtësimin e qirave afatgjata, për ta bërë strehimin më të përballueshëm për familjet e reja vendase.
Taksa do të paguhet nga pronarët sipas tarifave të përcaktuara nga autoritetet vendore dhe do të variojë nga 0.60 euro deri në 8 euro për metër katror.
Sipas parashikimit, 80% e të ardhurave nga taksat do t’u shkojë autoriteteve vendore, ndërsa pjesa tjetër në buxhetin e shtetit. /Përgatiti: ekofin.al
