Skema aktuale me tatim zero për bizneset e vogla mund të ndryshojë. Shqipëria arkëton në buxhet nga tatimet direkte mbi të ardhurat e biznesit dhe atyre individuale, rreth 40-50 % më pak se vendet e Bashkimit Evropian, kjo për shkak të normave përgjithësisht të ulëta tatimore. Kështu thuhet dokumentin e Strategjisë Afatmesme të të Ardhurave 2024-2027 të Ministrisë së Financave, hedhur për konsultim publik.
Qeveria synon të reformojë politikën tatimore për tatimet e personave fizikë apo bizneseve të vogla, përmes rishikimit të skemës së taksimit të bizneseve me të ardhura të ulta, duke aplikuar skema të thjeshta taksim mbi fitimin neto nëpërmjet një niveli të caktuar të shpenzimeve të supozuara në përqindje mbi të ardhurat bruto;
Sipas gjetjeve të dokumentit, teorikisht, sistemet që përmbajnë disa norma tatimore, krijojnë hapësira për shmangie dhe është e njohur tendenca e tatimpaguesve për të përfituar nga regjimet e taksimit me norma më të ulëta. Struktura e operatorëve ekonomikë në Shqipëri është e tillë ku pjesa dërrmuese e tatimpaguesve bëjnë pjesë në grupet me të ardhura shumë të ulëta apo të ulëta:
Numri total i bizneseve të regjistruara (që kanë plotësuar TF ose TFTH gjatë 2023) është 141,300, nga të cilat:
- Tatimpagues me të ardhura 0-5 milion 105,293 ose 74.5% e totalit;
- Tatimpagues me të ardhura 5-8 milion 13,281 ose 9.4% e totalit;
- Tatimpagues me të ardhura 8-14 milion 8,010 ose 5.7% e totalit;
- Tatimpagues me të ardhura mbi 14 milion 14,716 ose 10.4% e totalit;
Pra 89.6% e totalit të bizneseve që operojnë në Shqipëri deklarojnë të ardhura deri në 14 milionë lekë për vitin 2023.
Nisur nga panorama e mësipërme, analiza dhe marrja e masave në të ardhmen për përmirësimin e kësaj skeme të taksimit të të ardhurave të biznesit do të sillte jo vetëm parandalimin e krijimit të hapësirave për abuzime me deklarime, por edhe reduktimin e kostove të administrimit dhe kontrollit të deklaratave të tatimpaguesve të vegjël nga administrata tatimore.
Për këtë arsye, për bizneset e vogla është më oportune dizenjimi i një sistemi të thjeshtë tatimi mbi të ardhurat dhe shpenzimet e supozuara, duke përdorur një shkallë të pranueshme të tatimit për ta dhe njëkohësisht duke u lejuar zbritje të tjera, të cilat ulin më tej normën efektive të tatimit, thuhet në dokumentin e Strategjisë. /ekofin.al
