Reforma në Drejtësi në Shqipëri po vazhdon të përballet me nevoja financiare të konsiderueshme. Sipas dokumentit të publikuar nga Ministria e Drejtësisë, Strategjia Kombëtare e Drejtësisë 2024-2030, do të kërkohen 42 milionë euro shtesë për të arritur objektivat e parashikuara.
Ky dokument nënvizon se ndërtimi i një sistemi drejtësie që i përmbush standardet europiane kërkon një mbështetje financiare të vazhdueshme. Kostot totale për zbatimin e planit të veprimit arrijnë në rreth 42.7 milionë euro. Nga këto, për periudhën 2024-2026, nevoja financiare është vlerësuar në 27 milionë euro, e cila do të mbulohet nga buxheti vjetor dhe Programi Buxhetor Afatmesëm 2024-2026. Ndërsa për periudhën 2027-2030, nevojiten rreth 10 milion euro.
Dokumenti gjithashtu tregon se ka një hendek financiar prej 4 milionë euro që duhet të adresohen në të ardhmen.
Ministria e Drejtësisë ka përcaktuar 35 objektiva për t’u realizuar në sistemin e drejtësisë, me fokus në rritjen e njohurive dhe kuptueshmërisë për proceset e integrimit në Bashkimin Europian deri në vitin 2030.
