Teksa Evropa përballet me temperatura rekord, rritje të kostove të energjisë dhe objektiva gjithnjë e më ambicioze për neutralitet klimatik, të dhënat më të fundit të Eurostat tregojnë se përmirësimi i efikasitetit energjetik të banesave mbetet një sfidë e madhe.
Sipas statistikave të publikuara nga Eurostat, në vitin 2025 vetëm 23.9% e popullsisë së Bashkimit Evropian jetonte në banesa ku ishin kryer investime për rritjen e efikasitetit energjetik gjatë pesë viteve të fundit. Kjo do të thotë se rreth tre të katërtat e qytetarëve të BE-së vazhdojnë të jetojnë në ndërtesa që nuk kanë përfituar nga izolimi termik, dritaret me performancë të lartë apo sistemet moderne të ngrohjes.
Diferencat mes vendeve anëtare janë të theksuara. Holanda kryeson renditjen, ku 60.5% e banorëve jetojnë në shtëpi të rinovuara për kursimin e energjisë. Pas saj vijnë Danimarka me 34%, ndërsa Franca dhe Sllovenia ndajnë vendin e tretë me nga 33.3%.
Në fund të listës renditen Italia me vetëm 2.6%, Malta me 7.8% dhe Greqia me 9.5%, çka tregon se ritmi i investimeve në sektorin e banesave mbetet shumë i ngadaltë në këto vende.

Raporti nxjerr në pah edhe një dimension social të tranzicionit të gjelbër. Personat që janë në rrezik varfërie ose përjashtimi social kanë shumë më pak mundësi të jetojnë në banesa të rinovuara. Vetëm 17.4% e tyre raportojnë përmirësime të efikasitetit energjetik, kundrejt 25.6% të pjesës tjetër të popullsisë. Kjo tregon se familjet me të ardhura më të ulëta vazhdojnë të jenë më të ekspozuara ndaj faturave të larta të energjisë dhe kushteve më pak komode të banimit.
Eurostat thekson se përmirësimet përfshijnë izolimin e mureve, çative dhe dyshemeve, zëvendësimin e dritareve me xham dopio ose tripio, si edhe instalimin e sistemeve më efikase të ngrohjes. Këto investime konsiderohen thelbësore për uljen e konsumit të energjisë, reduktimin e emetimeve të gazeve serrë dhe mbrojtjen e familjeve nga kostot në rritje të energjisë./ekofin.al

