Grupi OTP ka arritur një nga momentet më të rëndësishme në historinë e tij, duke u renditur për herë të parë mes 400 kompanive më të mëdha publike në botë në listën prestigjioze Forbes Global 2000 për vitin 2026. Pas katër viteve radhazi përmirësim të vazhdueshëm, grupi bankar me seli në Hungari është renditur në vendin e 398-të në renditjen globale, duke konfirmuar pozicionin e tij si një nga institucionet financiare më të forta në Evropën Qendrore dhe Lindore.
Lista Forbes Global 2000 vlerëson kompanitë publike më të mëdha në botë mbi bazën e katër treguesve kryesorë financiarë: të ardhurat, fitimin neto, asetet dhe kapitalizimin e tregut. Renditja përfundimtare është rezultat i kombinimit të performancës në secilin prej këtyre indikatorëve.
Për Grupin OTP, rezultati i këtij viti pasqyron një performancë të fortë financiare në disa drejtime. Banka u rendit në vendin e 360-të në botë për fitimin, e 313-ta për asetet, e 658-ta për kapitalizimin e tregut dhe e 993-ta për të ardhurat, duke siguruar kështu vendin e 398-të në klasifikimin e përgjithshëm.
Drejtori i Përgjithshëm i Grupit OTP, Péter Csányi, e cilësoi këtë sukses si rezultat të punës së përbashkët të punonjësve, klientëve dhe partnerëve të bankës.
“Grupi OTP është renditur ndër 400 kompanitë më të forta në botë – një arritje që e kemi realizuar së bashku me kolegët, klientët dhe partnerët tanë si një grup bankar rajonal me qendër në Hungari. Zhvillimi i vazhdueshëm i Grupit OTP konfirmon forcën e strategjisë sonë të qëndrueshme dhe operacionet e fokusuara tek klienti. Me gati 40,000 punonjës në 11 vende, ne punojmë çdo ditë për t’ua bërë jetën më të thjeshtë dhe më të sigurt 17,5 milionë klientëve tanë, duke forcuar më tej pozicionin tonë udhëheqës në Evropën Qendrore dhe Lindore. Falënderoj kolegët për përpjekjet e tyre dhe klientët për besimin që është thelbësor për rritjen tonë të jashtëzakonshme.”
Ky rezultat merr një rëndësi të veçantë nëse krahasohet me situatën e vetëm katër viteve më parë, kur Grupi OTP nuk renditej as mes 1,000 kompanive më të mëdha në botë. Përmirësimi i vazhdueshëm vit pas viti reflekton zgjerimin e aktivitetit, rritjen e fitueshmërisë dhe forcimin e bilancit financiar të Grupit.
OTP konsiderohet aktualisht një nga grupet bankare me rritjen më të shpejtë në rajon dhe një nga konsoliduesit më aktivë të sektorit bankar në Evropën Qendrore dhe Lindore. Që nga fillimi i viteve 2000, Grupi ka blerë dhe integruar me sukses 25 banka, duke zgjeruar praninë e tij në 11 vende të Evropës Qendrore, Lindore, përfshirë edhe Shqipërinë dhe Azinë Qendrore.
Sot, Grupi OTP u shërben rreth 17.5 milionë klientëve përmes një rrjeti prej afro 40 mijë punonjësish, ndërsa mbështetet në një pozicion të fortë kapitali dhe likuiditeti. Banka është e listuar në Bursën e Budapestit që prej vitit 1995 dhe ka një strukturë pronësie të diversifikuar e transparente.
Renditja në elitën e 400 kompanive më të mëdha globale forcon më tej profilin ndërkombëtar të OTP-së dhe dëshmon se strategjia e saj e zgjerimit rajonal, e mbështetur në blerje, integrime dhe rritje organike, po jep rezultate të qëndrueshme edhe në një periudhë sfiduese për sektorin bankar global.


