Nga Florjan Zekja
Shqipëria duhet të nisë që sot një debat serioz për ndikimin që formalizimi i ekonomisë do të ketë mbi prodhimin, eksportet dhe zhvillimin ekonomik të vendit.
Prej tri vitesh, industria prodhuese dhe eksportuese po përballet me pasoja të forta nga mbiçmimi i lekut, por paralelisht ekziston edhe një fenomen tjetër që nuk mund të injorohet: pesha e ekonomisë informale, niveli i lartë i euroizimit dhe qarkullimi i një sasie të konsiderueshme parash jashtë sistemit bankar.
Goditjet e fundit të sistemit të drejtësisë kundrejt këtyre fenomeneve po tregon se mjaftuan 2 goditje dhe arritën të sekuestrohen rreth 300 milion euro kesh dhe rreth 1.5 miliard euro pasuri të patundshme dhe biznese. Shifra të frikshme për një ekonomi si ajo e një vendi si Shqipëria.
Institucione ndërkombëtare theksojnë se informaliteti në ekonomi vazhdon të jetë një plagë e madhe. Hipotezat për shkallën e lartë të informalitetit dhe evazionit fiskal shpeshherë flitet që mund të arrijë 40-50%.
Euroizimi gjithashtu është shqetësues për ekonominë Shqiptare, por dhe për standardet evropiane ku ky fenomen nga analizat e ekonomistëve të njohur supozohet se arrin në nivelet e 60% të pranisë të monedhës Euro.
Procesi i integrimit në Bashkimin Europian do të kërkojë një formalizim gjithnjë e më të madh të ekonomisë. Kjo është një domosdoshmëri dhe askush nuk e vë në diskutim. Por pyetja që duhet të shtrojmë sot është: me çfarë do të zëvendësohet aktiviteti ekonomik që sot mbështetet nga ekonomia informale?
Përvoja e Rumanisë dhe Bullgarisë tregon se formalizimi nuk mund të mbështetet vetëm te kontrollet dhe kufizimet. Ai duhet të shoqërohet me politika që nxisin prodhimin, eksportet, investimet dhe rritjen e konkurrueshmërisë. Në të kundërt, rrezikojmë që koston më të madhe ta paguajë industria prodhuese, e cila tashmë po kalon një nga periudhat më të vështira të tranzicionit post-komunist.
Ajo çfarë duhet theksuar është fakti se ndërhyrja e Qeverisë për reforma të ndryshme në ndihmë të biznesit duhet të jetë imediate . Sa më shumë vonohet ky proces i rëndësishëm, aq më shumë humbet efektiviteti dhe rezultatet
Qeveria në bashkëpunim me BSH dhe Bankat e nivelit të dytë para pak kohësh shpalosi iniciativën “Dyfisho Ndërmarrjen Tënde ” që pritet të fillojë aplikimin ( në vetvete është një formë kredie me interesa të ulëta dhe mbulim kolateral nga Qeveria).
Përveç faktit që ky mekanizëm duhet shoqëruar me instrumenta të tjerë, duhet dhe të jetë imediat dhe të ketë sensibilizim më të madh tek bota e biznesit. Përndryshe do ketë fatin e Garancive Shtetërore të kaluara, të cilat nuk patën efektivitetin e parashikuar.
Ne nuk mund të presim vitin 2030 për ta diskutuar këtë çështje. Biznesi shqiptar duhet të përgatitet që tani për standardet evropiane, por njëkohësisht ka nevojë për një plan të qartë tranzicioni. Formalizimi duhet të ecë paralelisht me mbështetjen e ekonomisë reale, në mënyrë që vendi të mos humbasë kapacitetet prodhuese, vendet e punës dhe eksportet.
Ky është një debat që duhet të përfshijë qeverinë, biznesin, sistemin bankar, ekspertët dhe shoqërinë civile. Integrimi europian nuk është vetëm një proces politik; ai është mbi të gjitha një transformim ekonomik dhe ne duhet të sigurohemi që ky transformim ta bëjë Shqipërinë më të fortë, jo më të dobët.

