Qeveria propozon disa ndryshime në ligjin “Për mbrojtjen e tokës bujqësore”, duke futur për herë të parë në këtë kuadër ligjor koncepte të reja të bujqësisë moderne, si aeroponia, akuaponia dhe hidroponia, si dhe duke rregulluar përdorimin e tokës bujqësore për aktivitete të energjisë së rinovueshme.
Projektligji parashikon që në ligj të shtohen përkufizimet për tri teknika të reja kultivimi. Aeroponia përcaktohet si kultivimi i bimëve me rrënjë të varura në hapësirë, ku ushqimi jepet përmes tretësirës ushqimore. Akuaponia përkufizohet si një sistem i mbyllur që kombinon rritjen e peshqve ose organizmave të tjerë ujorë me kultivimin e bimëve, ku mbetjet e organizmave shërbejnë si lëndë ushqyese për bimët. Ndërsa hidroponia është kultivimi i bimëve në tretësirë ujore, me ose pa substrate të ndryshme, si rërë, perlit, lesh guri, torfë apo lëvore druri dhe kokosi.
Ndryshimet ligjore japin mundësinë për ndërtimin e infrastrukturës, strukturave dhe sistemeve që mbështesin zhvillimin e këtyre aktiviteteve në tokë bujqësore.
I mbetet Këshillit të Ministrave të përcaktojë kriteret për përdorimin e tokës bujqësore për aktivitet agrifotovoltaik dhe për energjinë eolike në tokat bujqësore me bonitet deri në 8. Në këto raste do të përcaktohen edhe procedurat e monitorimit, masat për shkeljen e kushteve, si dhe tarifa që do të paguajnë subjektet që tregtojnë energjinë e prodhuar nga centralet agrifotovoltaike në toka bujqësore.
Sipas projektligjit, kjo tarifë do të kalojë në programin për bujqësinë dhe zhvillimin rural, me qëllim mbështetjen e bujqësisë.
Kriteret për përdorimin e tokës bujqësore për aeroponi, akuaponi dhe hidroponi do të përcaktohen me vendim qeverie, me propozim të ministrit përgjegjës për bujqësinë./ekofin.al

