Dy impiante të reja publike për prodhimin e energjisë elektrike janë pjesë e listës së projekteve me rëndësi kombëtare 2025 -2027. Projektet parashikojnë ndërtimin e centraleve diellore nga Korporata Elektrenergjetike Shqiptare në Belsh dhe Vaun e Dejës, ndërsa bëjnë pjesë të listën me status “i maturuar”, çka do të thotë se për to është kryer studimi i fizibilitetit dhe janë konsideruar të qëndrueshëm apo janë në fazë të avancuar të përpilimit të dokumenteve teknike.
Po ashtu, dy centralet publike kanë një nivel prioriteti A, duke u listuar si projekte me prioritet të lartë.
Centrali diellor në Belsh parashikohet të ketë një fuqi të instaluar 50 MWp, ndërsa kosto totale për ndërtimin e tij është 40 mln euro. Gjenerimi i impiantit në BLESH pritet të përbëjë rreth 1% të prodhimit vjetor kombëtar të energjisë elektrike.
Ndërkohë, projekti i dytë parashikon ndërtimin e një impianti fotovoltaik lundures në Vaun e Dejës. Impianti do të pozicionohet në rezervuarin e hidrocentralit të Vaut të Dejës dhe parashikohet të ketë një kapacitet të instaluar 13.8 MWp. Kosto e këtij proejkti është 13.86 mln euro.
