Euro ka regjistruar të hënën nivelin më të ulët historik kundrejt lekut. Sipas kursit mesatar të Bankës së Shqipërisë, euro këmbehet me 99,95 lekë, duke thyer në këtë mënyrë kufirin psikologjik të 100 lekëve.
Deri në fillim të javës së kaluar dukej se kursi i këmbimit ishte i qëndrueshëm, pavarësisht sezonit turistik. Por, ditët e fundit, që përkojnë edhe me pikun e këtij sezoni, duket se vizitorët e huaj janë shtuar në Shqipëri, çka shoqërohet edhe me prurje më të madhe të valutës.
Gjatë vitit 2024, me objektiv rritjen e rezervës valutore, Banka Qendrore synon të blejë përmes ankandeve 250-330 milionë euro, por nëse vërehen situata anormale në treg, ky institucion mund të ndërhyjë për të stabilizuar kursin e këmbimit të lekut me valutat kryesore, sidomos monedhën e përbashkët europiane.
