Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo deklaroi sot, pas mbledhjes së qeverisë, se është miratuar rregullorja e re për përdorimin e hapësirave publike, akt ky që synon të adresojë një nga problematikat më të mprehta në komunitet.
Sipas tij, rregullorja synon të garantojë të drejtën e qytetarëve për përdorimin e hapësirave publike në funksion të mirëqenies së familjeve, duke krijuar njëkohësisht mundësi të balancuara për zhvillimin e aktiviteteve tregtare.
Ai theksoi se, “rregullorja do të sjellë risi sa i përket një unifikimi të gjithë praktikave në nivel kombëtar, ku ne tashmë do të kemi rregulla të qarta për sa i përket mënyrës sesi mund të përdoren hapësirat publike”.
Në të njëjtën kohë, ai sqaroi se, njësitë e qeverisjes vendore do të kenë fleksibilitet për të adresuar specifikat lokale përmes vendimeve të këshillave bashkiakë.
Ministri bëri të ditur se rregullorja është hartuar pas një procesi të gjerë konsultimi, ku bashkitë kanë qenë pjesë aktive, duke kontribuar në përmirësimin e saj.
I pyetur nga gazetarët mbi zbatimin e kriterit minimal prej dy metrash për trotuaret, Demo u shpreh se zgjidhja është e qartë, përparësi kanë qytetarët.
“Nuk do të thotë që çdo subjekt, kudo që të jetë, do të ketë mundësinë të ushtrojë një aktivitet të caktuar”, theksoi ai.
Sipas ministrit, rregullorja përcakton parametra të njëjtë për të gjitha bashkitë, duke garantuar ruajtjen e hapësirave publike, por njëkohësisht edhe mundësinë e shfrytëzimit të tyre nga subjektet që plotësojnë standardet përkatëse.
Ai shtoi se akti përfshin edhe elementë që lidhen me estetikën urbane dhe mobilimin e qyteteve, duke synuar përmirësimin e cilësisë së jetesës. “Kushdo që ushtron aktivitet duhet të garantojë kushtet e sigurisë dhe të ruajë asetet komunitare”, u shpreh Demo.
I pyetur lidhur me vonesën prej tre muajsh të miratimit të rregullores, krahasuar me afatin e paralajmëruar më herët, si dhe mbi ecurinë e operacionit për lirimin e hapësirave publike, ministri theksoi se akti ka kaluar një proces të gjerë konsultimi.
“Besoj që të gjitha institucionet shtetërore do të garantojnë që kjo VKM të futet në një jetë normale sa i përket zbatimit në territor. Kjo rregullore ka kaluar një fazë të gjerë konsultimi, ku bashkitë kanë qenë aktorë të rëndësishëm në hartimin e produktit final”, përfundoi ai.

