Është arrestuar nga shërbimet e policisë biznesmeni Gazmend Haxhia, menjëherë sapo është kthyer në Shqipëri. Ndaj tij ishte dhënë masë sigurie “arrest me burg”, në lidhje me hetimet për abuzimet me fondet europiane, në të njëjtën çështje ku po gjykohet edhe ish-ministri Ilir Beqja.
Biznesmeni Gazmend Haxhia akuzohet si i përfshirë në skemën e faturimeve fiktive, nëpërmjet shoqërisë së tij “Landways International”.
“Shërbimi i prokuruar “Për Organizmin e Konferencës 03-05 Prill 2023 “E Ardhmja e Turizmit të Qëndrueshëm Mjedisor në Shqipëri FESTA Asistenca Teknike IPA CBC, Projekti Adrion”) me vlerë 125.000,00 Euro, është i njëjtë me atë të prokuruar nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit (në vlerën sipas çmimit të kontratës 38.509.550 lekë) për të njëjtin event atë të quajtur “Festa”, duke u kontraktuar në të dyja rastet e njëjta shoqëri tregtare e quajtur “Landways International” sh.p.k me Ortak e Administrator personi nën hetim Gazmend Haxhia,” thuhet në dosjen e SPAK.
GJKKO kishte dhënë masën “arrest me burg” për personat e tjerë nën akuzë për përfshirjen në këtë skemë, Ilir Beqajn, Ermal Kurtulaj dhe Alfred Nikollën.
