Është publikuar në Fletore Zyrtare vendimi që specifikon rritjen e pagave për punonjësit e Policisë së Shtetit, referuar ndarjave të veçanta sipas gradave, si edhe përfshirë kushtet e vështirësisë në punë. Në vendimin e miratuar nga Këshilli i Ministrave specifikohet se vendimi ka për qëllim miratimin e:
a) vlerave për secilin element përbërës të pagës bruto mujore të punonjësve të Policisë së Shtetit, sipas strukturave, në të cilat ushtrojnë funksionet policore;
b) trajtimit financiar të:
i. kursantëve që pranohen në kolegjin profesional “Kolegji i Policisë”;
ii. studentëve që pranohen të vazhdojnë programet e studimit në Akademinë e Sigurisë me kohë të plotë dhe studentëve që caktohen për të ndjekur studimet me kohë të plotë në akademitë e policisë të shteteve partnere, sipas marrëveshjeve të përbashkëta;
iii. punonjësve të Policisë së Shtetit që kryejnë kurse shkollimi/trajnimi;
iv. punonjësve të Policisë së Shtetit që bashkëpunojnë me institucionet arsimore të sistemit policor, si punonjës të jashtëm.
2. Elementet përbërëse të pagës bruto mujore dhe vlerat për secilin element për punonjësit e Policisë së Shtetit janë, si më poshtë vijon:
a) paga për gradë, që përfaqëson nivelin e pagës së punonjësit të Policisë, në përputhje me gradën që ka fituar. Vlera e pagës për gradë përcaktohet në lidhjen nr. 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij;
b) shtesa për natyrë të veçantë pune, e lidhur me natyrën e veçantë të punës apo të shërbimit, për kohën që punonjësit e Policisë ushtrojnë detyrat funksionale (sipas funksioneve/pozicioneve, të miratuara në organikë) dhe që përcaktohet:
i. në lidhjen nr. 2, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij, për punonjësit e Policisë që punojnë në strukturat e luftës ndaj krimit të organizuar, krimeve të rënda, antiterrorit dhe në strukturat e Policisë Shkencore;
ii. në lidhjen nr. 3, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij, për punonjësit e Policisë që punojnë në strukturat e ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike;
iii. në lidhjen nr. 4, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij, për punonjësit e Policisë që punojnë në strukturat e Policisë Kufitare dhe Migracionit;
iv. në lidhjen nr. 5, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij, për punonjësit e Policisë që punojnë në strukturat e tjera policore;
v. në lidhjen nr. 6, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij, për punonjësit e Policisë që punojnë në pozicione që lidhen me procesin e informatizimit të administratës publike dhe kërkojnë në mënyrë të detyrueshme diplomë universitare të nivelit “Master i shkencave”, “Master profesional”, “Bachelor” apo të barasvlershme me to, sipas legjislacionit të arsimit të lartë, në degët “Inxhinieri elektronike”, “Inxhinieri informatike”, “Informatikë”, “Inxhinieri telekomunikacioni”, “Teknologji informacioni”, “Informatikë ekonomike”, “Informatikë biznesi”, “Inxhinieri matematike informatike”, “Shkenca kompjuterike”, “Inxhinieri matematike” (në analiza sistemesh);
c) Shtesa për natyrë të veçantë pune, që lidhet me kushte të vështira e të dëmshme për shëndetin, që aplikohet në rastet kur punonjësit e Policisë punojnë në vende pune të vështira e të dëmshme për shëndetin. Masa e kësaj shtese përcaktohet në lidhjen nr. 7, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij;
ç) Shtesa për vjetërsi në shërbim, që është shtesa që përfiton punonjësi i Policisë me grada, për kohën e qëndrimit në gradë dhe aplikohet në masën 1 (një) për qind, për çdo vit deri në 25 (njëzet e pesë) vjet. Llogaritja e shtesës për vjetërsi bëhet mbi pagën e gradës “inspektor”.
3. Për efekt të llogaritjes së shtesës për vjetërsi në shërbim, vite shërbimi do të konsiderohen vitet e qëndrimit në gradë, të dokumentuara në librezën e punës apo, në mungesë të librezës së punës, me çdo dokument tjetër ligjor të lëshuar nga organet kompetente përkatëse, sipas legjislacionit në fuqi, të çdo punonjësi në strukturat e Policisë së Shtetit, Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, Policisë së Burgjeve, Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin, Gardës së Republikës së Shqipërisë, Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes, si dhe në strukturat e Shërbimit Informativ të Shtetit.
4. Vitet që përjashtohen nga llogaritja e shtesës së vjetërsisë në shërbim, vetëm për efekt pagese, janë vitet e sigurimit vullnetar, vetëpunësimit, vitet e punës si punonjës pa grada, vitet e shërbimit ushtarak për meshkujt, vitet e shkollimit në institucionet e arsimit ushtarak të Ministrisë së Brendshme e të Ministrisë së Mbrojtjes, si dhe periudhat e trajtimit me pagesë papunësie apo pagesë kalimtare.
5. Kursantët që pranohen në kolegjin profesional “Kolegji i Policisë”, në Akademinë e Sigurisë, gjatë periudhës së shkollimit përfitojnë trajtim me pagesë, në masën 8 000 (tetë mijë) lekë në muaj.
6. Studentët që pranohen dhe vazhdojnë programet e studimit në Akademinë e Sigurisë, me kohë të plotë, për ciklin e parë të studimeve dhe studentët që caktohen për të ndjekur studimet me kohë të plotë në Akademitë e Policisë të shteteve partnere, sipas marrëveshjeve të përbashkëta, gjatë periudhës së shkollimit përfitojnë çdo muaj trajtim financiar, në masën e pagës për gradën “inspektor”. Këtë trajtim e përfitojnë edhe shtetasit që pranohen në Akademinë e Sigurisë, të cilët kanë përfunduar ciklin e dytë të studimeve të arsimit të lartë dhe plotësojnë kriteret e përcaktuara në dispozitat përkatëse, në ligjin për Policinë e Shtetit.
7. Punonjësi i Policisë që shkollohet/trajnohet, brenda ose jashtë vendit, në kuadër të programeve të trajnimeve, të parashikuara e të organizuara nga institucioni, gjatë periudhës së shkollimit/trajnimit përfiton trajtim me pagesë, në masën e pagës për gradë, që përfitonte përpara fillimit të kursit të shkollimit/trajnimit. Pagesa e punonjësit të Policisë kryhet nga njësia buxhetore, ku është efektiv punonjësi, përpara fillimit të kursit të shkollimit/trajnimit.
8. Në rastet kur punonjësi i Policisë ka fituar një kurs shkollimi apo trajnimi, në mënyrë individuale dhe jo me iniciativën e institucionit, gjatë kohës së shkollimit/trajnimit nuk përfiton pagesë nga institucioni.
9. Punonjësi i Policisë, që nuk është efektiv me kohë të plotë në institucionet e sistemit arsimor policor, por bashkëpunon me këto institucione, si punonjës i jashtëm, për çdo orë mësimore 60- minutëshe, përfiton një pagesë, si më poshtë vijon: a) në kurset e formimit bazë për punonjësit me gradë “inspektor”, në masën 300 (treqind) lekë/për orë; b) në kurset e shkollimit/trajnimit për punonjësit me gradë “nënkomisar” deri në “drejtues i parë”, në masën 500 (pesëqind) lekë/për orë. Ekofin.al








