Qeveria bën gati ndryshimin e modelit të furnizimit të sistemit publik shëndetësor me barna dhe pajisje mjekësore, nëpërmjet krijimit të një shoqërie aksionare me kapital 100% shtetëror, të emërtuar “MedAL” sh.a.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale ka hartuar projektligjin që parashikon përqendrimin në një strukturë të vetme të proceseve të planifikimit, prokurimit, importit, magazinimit, transportit dhe shpërndarjes së barnave, pajisjeve mjekësore dhe produkteve të tjera shëndetësore.
Shoqëria e re do të ketë kompetenca edhe për zhvillimin e kapaciteteve prodhuese të barnave në Shqipëri, krijimin e kompanive të tjera, pjesëmarrjen në kapitalin e shoqërive private, si dhe realizimin e partneriteteve publike-private.
Pse po ndryshon modeli i furnizimit me barna?
Në relacionin shoqërues të projektligjit, Ministria e Shëndetësisë pranon se sistemi aktual i furnizimit karakterizohet nga një shkallë e lartë fragmentimi, që sjell pasoja të drejtpërdrejta për pacientët dhe fondet publike.
Dështimi i tenderëve, zgjatja e procedurave për shkak të ankimimeve dhe mungesa e një sistemi kombëtar të menaxhimit të stoqeve kanë shkaktuar ndërprerje të përsëritura të furnizimit me barna, të cilat në shumë raste kompensohen financiarisht nga vetë pacientët.
Problematika e radhës lidhet me madhësinë e kufizuar të tregut farmaceutik shqiptar, që nuk ofron interes të mjaftueshëm ekonomik për kompanitë ndërkombëtare për të tregtuar disa kategori barnash, veçanërisht medikamentet inovative, barnat për sëmundjet e rralla dhe trajtimet e specializuara spitalore, theksohet në relacion.
Nëpërmjet centralizimit të blerjeve, qeveria synon të rrisë fuqinë negociuese të shtetit ndaj kompanive farmaceutike, të ulë kostot për njësi dhe të sigurojë vazhdimësinë e furnizimit.
Prokurimet e shëndetësisë kalojnë te kompania e re
“MedAL” do të ushtrojë funksionin e organit qendror blerës për institucionet publike të kujdesit shëndetësor, duke organizuar procedurat e përbashkëta të prokurimit, negociuar kontratat dhe administruar marrëveshjet me furnizuesit vendas dhe ndërkombëtarë.
Me fillimin e aktivitetit të shoqërisë së re, procedurat përkatëse të prokurimit që nuk janë publikuar ende në Sistemin e Prokurimit Elektronik nuk do t’i adresohen më Operatorit të Blerjeve të Përqendruara (OBP).
Kompania do të hartojë çdo vit planin e nevojave për barna dhe pajisje mjekësore, bazuar në konsumin real, protokollet klinike, gjendjen e stoqeve, analizën e tregut dhe fondet buxhetore.
Lista vjetore e produkteve dhe shërbimeve do të miratohet jo më vonë se 31 dhjetori i çdo viti.
Import i barnave që nuk janë të autorizuara në Shqipëri
Projektligji parashikon krijimin e një mekanizmi të posaçëm për importin e barnave që mungojnë në tregun shqiptar ose që nuk kanë autorizim për tregtim në vend.
Me autorizim paraprak të autoritetit kompetent, “MedAL” do të mund të importojë barna që kanë autorizim për tregtim në një vend të Bashkimit Evropian, por që nuk janë të autorizuara për tregtim në Shqipëri dhe nuk kanë një kërkesë në shqyrtim.
Në rrethana të jashtëzakonshme, për nevoja të veçanta terapeutike apo emergjenca të shëndetit publik, do të lejohet edhe importi i produkteve që nuk janë të autorizuara as në Shqipëri dhe as në Bashkimin Evropian.
Kushtet e importit, verifikimit, etiketimit, gjurmueshmërisë dhe monitorimit të këtyre produkteve do të përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Prodhimi i barnave në Shqipëri dhe partneritetet me privatin
Kompania shtetërore nuk do të kufizohet vetëm në prokurimin dhe shpërndarjen e barnave. Projektligji i njeh të drejtën të zhvillojë kapacitete prodhuese vendase për barna dhe pajisje mjekësore, të krijojë shoqëri të tjera apo të marrë pjesë në kapitalin e kompanive publike dhe private, vendase ose të huaja.
Bashkëpunimi me sektorin privat mund të realizohet edhe nëpërmjet partneriteteve publike-private (PPP), bashkimit të operatorëve ekonomikë apo formave të tjera kontraktuale.
Kushtet e negocimit me subjektet private do të miratohen rast pas rasti nga Këshilli i Ministrave.
Pavarësisht përqindjes së kapitalit që do të zotërojë në kompanitë ku merr pjesë, “MedAL” do të ketë të drejtën e vetos për ndryshimin e statutit, rritjen apo zvogëlimin e kapitalit, shpërndarjen e fitimit, pranimin e aksionarëve të rinj dhe riorganizimin apo shpërbërjen e shoqërive.
Gjithashtu, kompania shtetërore do të mund të ofrojë shërbime edhe për spitalet dhe institucionet private shëndetësore, me kusht që kjo veprimtari të mos cenojë furnizimin e sistemit publik.
Pronat shtetërore mund të përdoren si kolateral
Projektligji parashikon mundësinë e transferimit të pronave të paluajtshme shtetërore te kompania e re, për realizimin e projekteve të investimit.
Me miratimin e Këshillit të Ministrave, këto prona mund të përdoren edhe si garanci, kolateral apo hipotekë për sigurimin e financimeve, rritjen e kapitalit dhe likuiditetit të shoqërisë.
Megjithatë, fondet e destinuara për prokurimin dhe furnizimin e institucioneve publike shëndetësore nuk do të mund të përdoren për financimin e pjesëmarrjes në kompani të tjera apo për mbulimin e humbjeve të tyre.
Financimi nga buxheti, pa një kosto të përcaktuar
Kapitali fillestar i “MedAL” do të financohet nga buxheti i shtetit, ndërsa burime të tjera financimi do të jenë të ardhurat nga shërbimet e ofruara për institucionet publike dhe private, donacionet dhe burime të tjera të ligjshme.
Tarifat e shërbimeve do të përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Projektligji parashikon që detyrimet financiare të kompanisë të mos transferohen në buxhetin e shtetit, por të mbeten përgjegjësi e vetë shoqërisë.
Megjithëse Ministria e Shëndetësisë konfirmon në relacion se krijimi i kompanisë do të ketë efekte financiare mbi buxhetin e shtetit, dokumentacioni nuk specifikon vlerën e kapitalit fillestar, kostot e ngritjes së infrastrukturës, shpenzimet operative apo kursimet e pritshme nga centralizimi i prokurimeve.
Stok strategjik dhe monitorim elektronik i barnave
Shoqëria do të krijojë dhe administrojë një stok të produkteve mjekësore kritike, me qëllim përballimin e emergjencave shëndetësore dhe ndërprerjeve të zinxhirit të furnizimit.
Parashikohet gjithashtu ngritja e një platforme elektronike të integruar, nëpërmjet së cilës do të monitorohen kontratat, inventarët, konsumi, kostot, gjendja e magazinave dhe shpërndarja e produkteve mjekësore.
Ministria argumenton se ky model do të mundësojë identifikimin në kohë të mungesave të barnave, standardizimin e produkteve dhe kontrollin më të mirë të përdorimit të fondeve publike.
Si modele referimi për reformën, relacioni përmend kompaninë publike Amgros në Danimarkë dhe ndërmarrjen publike SPMS në Portugali, të cilat realizojnë blerje të centralizuara për sistemet shëndetësore të këtyre vendeve.
Procedurat e themelimit të kompanisë brenda 60 ditëve nga hyrja në fuqi e ligjit
Ministria e Shëndetësisë do të përfaqësojë shtetin si aksionar i vetëm i kompanisë, ndërsa Këshilli Mbikëqyrës do të përbëhet nga pesë anëtarë, dy përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë dhe nga një përfaqësues i Ministrisë së Financave, Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor dhe Agjencisë Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore.
Projektligji parashikon që brenda 60 ditëve nga hyrja në fuqi e ligjit të ndiqen procedurat për sigurimin e kapitalit, përzgjedhjen e organeve drejtuese, miratimin e statutit dhe regjistrimin e shoqërisë në Regjistrin Tregtar.
Aktet nënligjore të parashikuara në projektligj do të miratohen brenda tre muajve./ekofin.al

