Tregu i internetit fiks broadband në Shqipëri vijon të zgjerohet, duke regjistruar rreth 33 mijë pajtimtarë më shumë brenda një viti. Paralelisht, konsumatorët po orientohen gjithnjë e më shumë drejt abonimeve vetëm për internet, duke reduktuar përdorimin e paketave të integruara me televizion dhe telefoni.
Sipas të dhënave të publikuara nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), në fund të tremujorit të tretë të vitit 2026, numri i pajtimtarëve me akses broadband nga rrjetet fikse arriti në 743,454, me një rritje prej 4.6% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2025 dhe 1.4% kundrejt tremujorit paraardhës.
Vetëm gjatë periudhës korrik-shtator 2026, tregut iu shtuan 10,304 pajtimtarë, ndërsa krahasuar me fundin e vitit 2025, numri i abonimeve është rritur me 28,468, ose rreth 4%.
Shqiptarët preferojnë abonimet vetëm për internet
Një nga tendencat më të dukshme të tregut është rritja e kërkesës për abonime vetëm për internet, pa përfshirjen e shërbimeve të tjera.
Në fund të shtatorit 2026, numri i pajtimtarëve që përdornin vetëm internet arriti në 451,591, me një rritje vjetore prej 9% dhe tremujore prej 3.1%.
Kjo kategori përfaqëson tashmë 60.7% të të gjithë tregut të internetit fiks, nga 58.3% një vit më parë.
Në harkun e një viti, numri i abonimeve vetëm për internet është shtuar me 37,285, ndërkohë që numri i pajtimtarëve të paketave të integruara është reduktuar me 4,329.
Paketat e integruara humbasin terren
Numri i pajtimtarëve që përdorin paketa të integruara internet, televizion dhe/ose telefoni ka zbritur në 291,863, duke regjistruar një rënie vjetore prej 1.5% dhe tremujore prej 1.1%.
Sipas kategorive të paketave: Internet + TV: 147,441 pajtimtarë, rritje vjetore me 1.2%. Internet + Telefoni: 81,020 pajtimtarë, rënie vjetore me 6%. Internet + TV + Telefoni: 63,402 pajtimtarë, rënie vjetore me 1.3%.
Paketa që kombinon internetin me televizionin mbetet më e preferuara ndër abonimet e integruara, duke përfaqësuar rreth gjysmën e tyre. /ekofin.al

