Aksionet e Nvidia u rritën me më shumë se 30% krahasuar me mbylljen e së premtes, në nisje të tregtimit në bursat amerikane të hënën, pasi bordi drejtues vendosi unanimisht të rikthente Jensen Huang në postin e drejtorit ekzekutiv (CEO). Presidenti amerikan Donald Trump përshëndeti rikthimin e tij, ndërsa Nvidia njoftoi se hetimi i pavarur do të vazhdojë.
Nvidia riktheu të hënën Jensen Huang në postet e presidentit, drejtorit ekzekutiv dhe anëtarit të bordit drejtues, me efekt të menjëhershëm. Vendimi vjen vetëm 11 ditë pas dorëheqjes së Huang.
Presidenti amerikan Donald Trump përshëndeti vendimin përmes një postimi në rrjetet sociale, duke deklaruar se bordi i Nvidia kishte marrë “vendimin e drejtë dhe të duhur”.
Ai shtoi se “vendit i nevojitet udhëheqja e Jensen në NVIDIA për të garantuar suksesin dhe prosperitetin jo vetëm të kompanisë, por edhe të ekonomisë amerikane”.
Huang ka qenë një nga mbështetësit më të spikatur të inteligjencës artificiale (AI), duke nxitur zhvillimin e vrullshëm të sektorit përmes marrëveshjeve që kanë ndihmuar në financimin e furnitorëve dhe klientëve të Nvidia, ndërsa këta të fundit ndërtonin infrastrukturën teknologjike që funksionon me çipat e kompanisë.
Largimi i tij ngriti pikëpyetje te investitorët nëse Nvidia do të ishte në gjendje të ruante ritmin e marrëveshjeve të reja dhe nëse klientët do t’u përmbaheshin planeve të investimeve që kishin nxitur fillimisht bumin e inteligjencës artificiale.
Vendimi për rikthimin e tij vjen më pak se dy javë pasi bashkëthemeluesi i Nvidia dha dorëheqjen, pas raportimeve për marrëdhënie jashtëmartesore, përfshirë një me biznesmenen kineze Alice Huang, ndaj së cilës ishin ngritur dyshime se ishte spiune.
Prokurori i Përgjithshëm amerikan, Todd Blanche, deklaroi më 12 nëntor se FBI po hetonte raportimet sipas të cilave ajo kishte punuar për qeverinë kineze dhe se Departamenti i Drejtësisë nuk kishte arritur ende në një përfundim.
Ndërkohë, Pekini i ka hedhur poshtë akuzat për spiunazh.
Duke reaguar ndaj vendimit të bordit të Nvidia, Trump hodhi poshtë pretendimet, duke deklaruar se “qeveria e Shteteve të Bashkuara nuk ka asnjë arsye të besojë se rikthimi i Jensen në NVIDIA përbën ndonjë rrezik për sigurinë kombëtare”.
Bordi drejtues bëri të ditur se kishte marrë mendime nga zyrtarë të lartë të qeverisë amerikane dhe se ishte gjithashtu i bindur se rikthimi i Huang nuk paraqiste rrezik për sigurinë kombëtare.
Ky vendim përbën një ndryshim të fortë nga qëndrimi që bordi kishte mbajtur vetëm një javë më parë.
Nvidia kishte njoftuar se do të shqyrtonte kandidatë të brendshëm dhe të jashtëm për të zëvendësuar Huang, i cili kishte sinjalizuar gatishmërinë për t’u rikthyer nëse do t’i kërkohej.
Megjithëse Nvidia publikoi javën e kaluar rezultate financiare tremujore më të mira se pritshmëritë, kryetari i bordit, Harvey Jones, u kishte deklaruar investitorëve se bordi nuk kishte ndërmend ta rikthente Huang në detyrë.
Megjithatë, të hënën, Jones deklaroi se bordi besonte se Huang ishte “personi i duhur për të drejtuar NVIDIA” dhe se rikthimi i tij ishte në interes të aksionarëve, punonjësve, partnerëve dhe klientëve të kompanisë.
Ai falënderoi gjithashtu Colette Kress për ushtrimin e detyrës së përkohshme të drejtores ekzekutive. Kress do të vijojë të mbajë postin e drejtores financiare (CFO), ndërsa Jones do të mbetet kryetar i bordit.
Nga ana e tij, Huang deklaroi se ndihej i nderuar që rikthehej në drejtimin e kompanisë dhe se do ta ushtronte këtë detyrë me “përulësinë më të madhe dhe një përkushtim të ripërtërirë”./Përshtati nga Euronews, ekofin.al
