Inspektorati i Përgjithshëm ka shkarkuar katër inspektorë të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, pas shqyrtimit të procedurave të ndjekura në rastin e importimit të një ngarkese prej 27 tonësh mish derri me origjinë nga Brazili, e sjellë në Shqipëri nga subjekti tregtar “KING-MIT”.
Sipas vendimit, inspektori i kontrollit në Pikën e Kalimit Kufitar të Durrësit, L.B., është larguar nga detyra për mosverifikim të plotë të dokumentacionit të ngarkesës, moskontroll të stabilimentit të autorizuar për eksport, si dhe mospohim të vërtetësisë së certifikatës shoqëruese. Sipas IP-së, këto mangësi mundësuan lejimin e hyrjes së ngarkesës në kundërshtim me kërkesat ligjore në fuqi.
Po ashtu, masa e largimit nga detyra është marrë edhe ndaj tre inspektorëve të Drejtorisë Rajonale të AKU-së në Fier, E.T., K.K. dhe M.G. Ata u konsideruan përgjegjës për mosverifikimin e plotë të dokumentacionit, mosidentifikimin e të gjitha shkeljeve të konstatuara dhe vendosjen e një mase administrative që nuk ishte në përpjesëtim me natyrën dhe rëndësinë e shkeljeve të evidentuara.
Hetimi administrativ i Inspektoratit të Përgjithshëm përfshiu administrimin e dokumentacionit të dërguar nga AKU, kërkimin për vlerësimin e përgjegjësive të punonjësve të përfshirë, ngritjen e Komisionit Disiplinor dhe zhvillimin e dy seancave dëgjimore përpara marrjes së vendimeve përfundimtare.
Ndërkohë, për shkak të kompleksitetit të çështjes dhe problematikave të konstatuara gjatë shqyrtimit të rastit, Inspektori i Përgjithshëm ka urdhëruar një verifikim më të gjerë të ligjshmërisë së procedurave administrative të ndjekura nga Drejtoria e Përgjithshme e AKU-së. Ky proces synon të analizojë në mënyrë të detajuar dokumentacionin, veprimet e kryera gjatë importimit dhe inspektimit të ngarkesës, si dhe përgjegjësitë e strukturave të përfshira.
Rasti konsiderohet një nga episodet më të rëndësishme të evidentuara së fundmi në fushën e sigurisë ushqimore, duke rikthyer vëmendjen te rëndësia e kontrolleve rigoroze në pikat kufitare dhe gjatë procedurave të inspektimit të produkteve ushqimore të importuara. /ekofin.al
