Luhatjet e çmimeve, kostot e vjeljes dhe transportit, dështimet e kontratave dhe kërkesat e tregut për pamjen e produkteve mund të bëhen shkak që një pjesë e prodhimit bujqësor të mbetet pa u vjelë ose të mos shitet, edhe kur është plotësisht i përshtatshëm për konsum. Por Shqipëria nuk ka ende një sistem kombëtar të konsoliduar për të matur sa ushqim humbet në ferma, cilat janë shkaqet dhe çfarë ndikimi kanë këto humbje në të ardhurat e fermerëve.
Problematika ngrihet në një dokument rekomandimesh për politikat bujqësore në Shqipëri, të përgatitur nga YPARD Albania dhe Instituti për Bashkitë Shqiptare, me mbështetjen e ACR+, në kuadër të projektit europian FOLOU.
Sipas dokumentit, humbjet e ushqimit nuk duhet të trajtohen vetëm si përgjegjësi e fermerëve apo si një problem teknik që lidhet me mënyrën e prodhimit. Ato mund të jenë edhe pasojë e funksionimit të tregut, marrëdhënieve mes prodhuesve dhe grumbulluesve, mungesës së infrastrukturës apo vështirësive në shitjen e produkteve.
Një ndër situatat që autorët rekomandojnë të hetohet është ajo kur të ardhurat e pritshme nga shitja e prodhimit nuk mbulojnë kostot e vjeljes dhe transportit. Në këto kushte, prodhimi mund të mbetet në fushë, duke sjellë humbje ekonomike për fermerin. Dokumenti kërkon që në analizimin e këtij fenomeni të merren parasysh luhatjet e çmimeve, kushtet e kontratave dhe mënyra se si funksionon zinxhiri i furnizimit.
Një tjetër problem lidhet me kriteret estetike që përdoren në tregtimin e produkteve bujqësore. Frutat dhe perimet mund të jenë të përshtatshme për konsum, por të mos pranohen në treg për shkak të pamjes apo karakteristikave të tjera që nuk lidhen domosdoshmërisht me cilësinë ushqimore.
FOLOU rekomandon që të analizohet edhe fuqia negociuese e aktorëve të ndryshëm të tregut, përfshirë fermerët, grumbulluesit, kooperativat, përpunuesit dhe shitësit. Sipas dokumentit, pabarazitë në marrëdhëniet tregtare mund të krijojnë kushte për praktika të padrejta, të cilat ndikojnë si te humbjet e ushqimit, ashtu edhe tek të ardhurat e prodhuesve.
Për këtë arsye, autorët propozojnë që matja e humbjeve të shoqërohet me një vlerësim ekonomik: sa nga prodhimi total përfundon duke u paguar realisht te fermeri dhe me çfarë çmimi. Analiza duhet të dallojë kategoritë e cilësisë, nga prodhimet e klasit të parë dhe të dytë deri tek ato që përfundojnë në përdorim industrial.
Një tregues i tillë do të ndihmonte që performanca e fermave të mos vlerësohej vetëm nga sasia e prodhuar, por edhe nga pjesa e prodhimit që arrin të gjenerojë të ardhura.
Për produktet e ngrënshme që nuk gjejnë treg në formën e tyre fillestare, dokumenti sugjeron edhe mundësi përpunimi, si prodhimi i reçelrave apo salcave të perimeve. Kjo do të mundësonte shfrytëzimin e një pjese të produkteve që përndryshe mund të mbeteshin pa u tregtuar.
Shqipëria nuk ka ende një bilanc kombëtar të humbjeve ushqimore
Megjithëse humbjet gjatë prodhimit dhe daljes në treg mund të ndikojnë drejtpërdrejt në të ardhurat e fermerëve, Shqipëria nuk ka një sistem të qëndrueshëm që të tregojë përmasat e problemit.
Dokumenti thekson se humbjet ushqimore në fazën e prodhimit parësor maten rrallë dhe nuk trajtohen në mënyrë të integruar në nivel sektorial. Kjo nuk do të thotë se vendi nuk ka kryer më parë studime apo analiza. Shqipëria ka një sistem statistikash bujqësore dhe ka përfituar mbështetje nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO), përfshirë punën e zhvilluar gjatë viteve 2018–2019 për diagnostikimin e humbjeve dhe hartimin e politikave për reduktimin e tyre.
Megjithatë, të dhënat dhe nismat e mëparshme nuk janë konsoliduar në një sistem kombëtar të krahasueshëm dhe të vazhdueshëm monitorimi. Vetë dokumenti FOLOU shmang paraqitjen e një shifre kombëtare për sasinë apo vlerën monetare të ushqimit që humbet në Shqipëri, për shkak të mungesës së të dhënave të besueshme.
Kjo gjë krijon vështirësi edhe për orientimin e investimeve publike dhe private. Pa identifikuar se ku ndodhin humbjet më të mëdha dhe cilat janë shkaqet, është e vështirë të përcaktohet nëse një zonë ka më shumë nevojë për ambiente magazinimi, zinxhir frigoriferik, përmirësim transporti apo organizim më të mirë të shitjeve.
Pikërisht për këtë arsye, FOLOU rekomandon që investimet të mos bazohen në të njëjtën paketë masash për të gjithë sektorin, por në analiza konkrete për produktet, zonat dhe fazat e prodhimit ku evidentohen humbjet. /ekofin.al

