Qarkullimi i mjeteve në rrugën dytësore në segmentin Mbikalimi i Kamzës–Mbikalimi i Kasharit, në krahun e djathtë, do të bllokohet përkohësisht gjatë dy netëve, për shkak të punimeve për montimin e trarëve të mbikalimit të Nyjes së Laknasit.
Bllokimi bëhet në kuadër të projektit “Zgjerimi i Superstradës Tiranë–Durrës, Faza III”, ku po vijojnë punimet për ndërtimin dhe përmirësimin e infrastrukturës rrugore.
Sipas njoftimit të Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH), kufizimi i qarkullimit do të zbatohet nga mbrëmja e sotme, 19 nëntor, deri më 20 nëntor 2026, në intervalin orar 22:00–05:00. Bllokimi do të prekë të dyja senset e lëvizjes në segmentin e përcaktuar.
Për menaxhimin e trafikut gjatë punimeve, kontraktori ka marrë masa për vendosjen e sinjalistikës së përkohshme dhe garantimin e sigurisë rrugore në zonë.
ARRSH u bën apel drejtuesve të mjeteve të planifikojnë paraprakisht itinerarin, të tregojnë kujdes të shtuar, të respektojnë sinjalistikën e vendosur dhe udhëzimet e personelit përgjegjës për menaxhimin e trafikut.
Punimet synojnë vijimin e projektit për zgjerimin e Superstradës Tiranë–Durrës dhe përmirësimin e infrastrukturës në zonën e Nyjes së Laknasit.

