Bashkia Himarë ka hapur një procedurë prokurimi publik me fond limit rreth 150 milionë lekë pa TVSH, për rehabilitimin e fasadave dhe çative të ndërtesave në fshatin Pilur. Investimi synon përmirësimin e pamjes arkitektonike të këtij fshati, ruajtjen e karakteristikave tradicionale të ndërtimeve dhe mbrojtjen e objekteve ekzistuese nga dëmtimet.
Sipas dokumenteve të tenderit, të konsultuara nga ekofin.al, procedura është e llojit të hapur për punë publike dhe parashikon ndërhyrje në 75 objekte, të shpërndara në disa zona të fshatit Pilur.
Fondi për realizimin e projektit do të financohet nga buxheti i Bashkisë Himarë, i ndarë në dy vite buxhetore. Për vitin 2026 janë parashikuar 41.67 milionë lekë pa TVSH, ndërsa pjesa më e madhe e financimit, rreth 108.33 milionë lekë pa TVSH, është planifikuar për vitin 2027.
Afati i zbatimit të kontratës është përcaktuar 12 muaj, ndërsa operatorët ekonomikë të interesuar kanë afat deri më 3 dhjetor 2026, ora 09:00, për paraqitjen e ofertave.
Projekti teknik parashikon një ndërhyrje të diferencuar sipas gjendjes së secilës ndërtesë. Në disa objekte do të ndërtohen çati të reja, në të tjera do të rehabilitohen mbulesat ekzistuese, ndërsa një pjesë e punimeve do të përqendrohet në riparimin e muraturave prej guri, konsolidimin e strukturave të dëmtuara dhe përmirësimin e fasadave.
Dokumentacioni evidenton ndërtesa me çati të shembura pjesërisht ose plotësisht, muratura guri të ekspozuara ndaj kushteve atmosferike, si dhe objekte me tarraca betonarme ku parashikohet vendosja e mbulesave të reja.
Ndërhyrjet synojnë të ruajnë gjurmët ekzistuese të ndërtesave dhe karakterin arkitektonik të vendbanimit. Për këtë arsye, projekti përcakton përdorimin e materialeve që përshtaten me tipologjinë tradicionale të Pilurit, duke përfshirë gurin natyror, tjegullat qeramike dhe konstruksionet prej druri.
Çatitë e reja do të realizohen kryesisht me konstruksion druri dhe tjegulla në tonalitet terrakote, me pjerrësi të projektuar prej 22%. Ndërkohë, fasadat do të trajtohen duke ruajtur gurin natyror ose duke përdorur suva në tone të çelëta, në përputhje me karakteristikat e ndërtimeve ekzistuese.
Projekti përfshin gjithashtu riparimin e çarjeve në muratura, përforcimin e elementeve konstruktive, sistemimin e ulluqeve dhe shkarkimeve të ujërave të shiut, si dhe zëvendësimin e dyerve dhe dritareve në objektet ku këto ndërhyrje janë parashikuar shprehimisht.
Në relacionin arkitektonik theksohet se ndërhyrjet nuk synojnë ndryshimin e konfigurimit të përgjithshëm të ndërtesave, por rehabilitimin e pjesëve të dëmtuara dhe ruajtjen e elementeve ekzistuese që kanë vlerë për identitetin e vendbanimit.
Piluri është një prej fshatrave të territorit të Himarës, i vendosur në një reliev kodrinor mbi bregdetin e Jonit, me ndërtime karakteristike prej guri dhe një strukturë tradicionale të vendbanimit. /ekofin.al
