Bashkimi Evropian miratoi planin e bankës italiane UniCredit për të marrë nën kontroll bankën gjermane Commerzbank, në një kohë kur Evropa po përpiqet të fuqizojë sektorin e saj bankar.
Me blerjen e Commerzbank, UniCredit synon të konsolidojë pozicionin e saj si një nga gjigantët bankarë të Evropës, një objektiv që ndahet edhe nga Bashkimi Evropian.
BE-ja beson se integrimi më i madh i sektorit bankar të vendeve anëtare do ta ndihmojë atë të përballojë konkurrencën me bankat amerikane dhe të rrisë konkurrueshmërinë e ekonomisë evropiane.
“Evropës i nevojiten banka më të fuqishme, të cilat mund të konkurrojnë, të rriten dhe të mbështesin bizneset dhe familjet tona”, deklaroi në një komunikatë Teresa Ribera, komisionerja e BE-së për konkurrencën.
“Bashkimet ndërkufitare mund të ndihmojnë në arritjen e këtij objektivi, duke u mundësuar bankave të operojnë në mënyrë më efikase dhe të përballojnë më mirë goditjet ekonomike”, shtoi ajo.
Komisioni Evropian, institucioni kryesor i BE-së për mbikëqyrjen e konkurrencës, miratoi blerjen pasi arriti në përfundimin se marrëveshja nuk do të krijonte probleme për konkurrencën në treg.
“Miratimi i blerjes së Commerzbank nga UniCredit tregon se është e mundur të mbështetet krijimi i një sektori bankar më të fuqishëm evropian, duke garantuar njëkohësisht konkurrencën dhe mundësitë e zgjedhjes për klientët”, u shpreh Ribera.
Gjatë këtij viti, Bashkimi Evropian njoftoi planet për të rishikuar rregullat mbi bashkimet e kompanive, ndërsa Brukseli synon të krijojë atë që e cilëson si “kampionë evropianë”, kompani të mëdha që mund të konkurrojnë në nivel global.
Banka Qendrore Evropiane kishte dhënë më herët miratimin për ofertën e pakërkuar të UniCredit për marrjen nën kontroll të bankës gjermane.
UniCredit ka ndjekur prej dy vitesh objektivin për të marrë Commerzbank nën kontroll, duke shkaktuar shqetësime në Gjermani, ku kjo bankë përbën një burim të rëndësishëm financimi për kompanitë e vogla dhe të mesme të sektorit industrial.
Pavarësisht kundërshtimit të fortë nga qeveria gjermane dhe vetë banka, UniCredit kishte arritur të siguronte një pjesëmarrje prej gati 50% të aksioneve në Commerzbank. /Përshtati nga Euronews, ekofin.al
