Mësimdhënia, shëndetësia dhe teknologjia e informacionit janë ndër sektorët ku punëdhënësit në Europë hasin më shumë vështirësi për të gjetur punonjës. Nga ana tjetër, rekrutimi i punëtorëve të krahut dhe ndihmësve për përgatitjen e ushqimit është përgjithësisht më i lehtë. Megjithatë, situata ndryshon nga një vend në tjetrin. Për shembull, sipas OECD-së, Spanja përballet me mungesa të mëdha të ndihmësve për përgatitjen e ushqimit.
Këto mungesa vazhdojnë edhe në një kohë kur të rinjtë përballen me një treg pune gjithnjë e më të vështirë. OECD ka konstatuar se hendeku i papunësisë midis të rinjve të diplomuar dhe popullsisë më të gjerë në moshë pune është zgjeruar në vendet e analizuara. Edhe Banka Qendrore Europiane (BQE) ka evidentuar se perspektivat e punësimit për të rinjtë në Eurozonë janë përkeqësuar që nga viti 2023.
Sipas raportit të OECD-së, Mapping Skill Shortages in OECD Countries (Hartëzimi i mungesave të aftësive në vendet e OECD-së), në vendet e Bashkimit Europian të përfshira në analizë, mësimdhënia renditet mesatarisht si profesioni për të cilin është më e vështirë të gjenden punonjës.
Më pas renditen profesionistët e shëndetësisë dhe ata të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit (TIK). Pesëshja plotësohet nga profesionet teknike dhe mbështetëse në shëndetësi, si teknikët mjekësorë dhe disa kategori të personelit infermieror, si dhe profesionistët e biznesit dhe administratës.
Në skajin tjetër, punëtorët e krahut janë më të lehtët për t’u rekrutuar, të ndjekur nga punonjësit në profesione elementare, ndihmësit për përgatitjen e ushqimit, punonjësit e shitjeve dhe montuesit.
Indeksi i OECD-së krahason profesionet brenda secilit vend. Vlerat pozitive tregojnë mungesa relative të punonjësve, ndërsa vlerat negative tregojnë tepricë relative të ofertës së punës.
Këto rezultate tregojnë se sa e vështirë është të plotësohen vendet e punës në një profesion krahasuar me profesionet e tjera brenda të njëjtit vend. Ato nuk përfaqësojnë numrin e vendeve vakante apo të punonjësve që mungojnë. Për shumicën e vendeve, të dhënat i përkasin vitit 2024.
Tendencat në 27 vende europiane, përfshirë Norvegjinë, Zvicrën, Turqinë dhe Mbretërinë e Bashkuar, tregojnë se cilat profesione shfaqen më shpesh ndër pesë profesionet më të vështira ose më të lehta për t’u plotësuar me punonjës.

Pesë profesionet ku është më e vështirë të gjenden punonjës
Mësuesit janë ndër pesë kategoritë profesionale më të vështira për t’u rekrutuar në 13 vende.
Pas tyre renditen profesionistët e shëndetësisë dhe ata të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, secila kategori në 12 vende.
Në shtatë vende, drejtuesit dhe menaxherët bëjnë pjesë në pesëshen e profesioneve më të vështira për t’u plotësuar, ndërsa profesionistët teknikë të shëndetësisë, punonjësit e kujdesit personal dhe profesionistët e biznesit dhe administratës renditen në këtë kategori në nga gjashtë vende secila.
Pesë profesionet ku është më e lehtë të gjenden punonjës
Punëtorët e krahut janë ndër pesë kategoritë më të lehta për t’u rekrutuar në 14 vende, të ndjekur nga ndihmësit për përgatitjen e ushqimit në 12 vende dhe punonjësit e tjerë të zyrave në 11 vende.
Profesionet elementare përfshihen në këtë listë në 10 vende, ndërsa montuesit në tetë vende.
Përtej pesë profesioneve me rezultatet më të larta dhe më të ulëta, OECD i klasifikon profesionet në pesë kategori, sipas vështirësisë për të gjetur punonjës krahasuar me profesionet e tjera në të njëjtin vend.
Kjo analizë tregon se profesionet në shëndetësi, arsim dhe teknologjinë e informacionit janë të vështira për t’u plotësuar në shumicën e vendeve.
Pse Evropa përballet me mungesë mjekësh dhe infermierësh?
Profesionistët e shëndetësisë janë të vështirë për t’u rekrutuar në 23 nga 27 vendet e analizuara, ndërsa profesionistët teknikë dhe mbështetës të shëndetësisë rezultojnë në mungesë në 21 vende.
“Sistemet shëndetësore të BE-së dhe Europës nuk po arrijnë të mbajnë dhe të rekrutojnë infermierë në vijën e parë të kujdesit shëndetësor, çka po shkakton mungesa të mëdha të personelit infermieror kudo”, thanë për Euronews Business Paul De Raeve dhe Manuel Ballotta, përfaqësues të Federatës Europiane të Shoqatave të Infermierëve (EFN).
Sipas tyre, numri i lartë i pacientëve për çdo infermier, kushtet e pasigurta të punës dhe problemet e përhapura të shëndetit mendor e bëjnë profesionin e infermierit më pak tërheqës.
Ata përmendin gjithashtu pagat e ulëta, mundësitë e kufizuara për zhvillim profesional, mungesën e njohjes së vlerës së profesionit dhe ekspozimin e shpeshtë ndaj ngacmimeve dhe dhunës.
Dr. Ole Johan Bakke, president i Komitetit të Përhershëm të Mjekëve Europianë (CPME), tërhoqi vëmendjen te përkeqësimi i kushteve të punës.
“Nga mjekët në të gjithë Europën po kërkohet gjithnjë e më shumë të kompensojnë mungesat strukturore të personelit përmes orëve të tepërta të punës dhe ngarkesës më të lartë. Dhuna ndaj profesionistëve të shëndetësisë, një fenomen gjithnjë e më i shpeshtë që prek edhe mjekët, i përkeqëson më tej këto probleme”, tha ai për Euronews Business.
Sipas tij, këto presione kontribuojnë në rraskapitjen profesionale dhe e bëjnë mjekësinë më pak tërheqëse si karrierë afatgjatë.
Mungesa e mësuesve nuk lidhet vetëm me pagat
Mësuesit janë të vështirë për t’u gjetur në 21 vende. Në gjashtë vendet e tjera, Gjermani, Greqi, Itali, Norvegji, Spanjë dhe Turqi, OECD e klasifikon tregun e punës për mësuesit si përgjithësisht të ekuilibruar.
“Mungesa e mësuesve nuk është më thjesht çështje e plotësimit të vendeve vakante. Ajo lidhet gjithnjë e më shumë me tërheqjen dhe qëndrueshmërinë afatgjatë të profesionit të mësuesit”, tha për Euronews Business Daniel Wisniewski, sekretar i përgjithshëm i Federatës Europiane të Punëdhënësve në Arsim.
Ai theksoi se pagat konkurruese mbeten thelbësore, por mësuesit përballen edhe me kërkesa gjithnjë e më të mëdha.
Mësimdhënia është bërë një profesion më kompleks, ndërsa shkollat po përdorin gjithnjë e më shumë mjete digjitale, po synojnë klasa më gjithëpërfshirëse dhe po marrin përgjegjësi më të mëdha për mirëqenien e nxënësve.
Njëkohësisht, mësuesit përballen me një ngarkesë më të lartë administrative.
Sipas Wisniewskit, shkaqet e mungesës së mësuesve shkojnë përtej pagave, megjithëse shpërblimi konkurrues mbetet një faktor i rëndësishëm.
“Duhet të pranojmë se kushtet e punës së mësuesve, autonomia profesionale, mundësitë për zhvillim në karrierë dhe cilësia e drejtimit të shkollave janë po aq të rëndësishme për të përcaktuar nëse njerëzit e zgjedhin dhe vazhdojnë këtë profesion”, tha ai.
A do ta bëjë inteligjenca artificiale më të lehtë rekrutimin në sektorin e teknologjisë?
Profesionistët e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit (TIK), si dhe ata të biznesit dhe administratës, janë të vështirë për t’u rekrutuar në nga 18 vende secila kategori.
Isabel Skak Olufsen, ekonomiste në OECD, tha se digjitalizimi ka rritur kërkesën për profesionistë të TIK-ut.
Megjithatë, sipas saj, përparimet në inteligjencën artificiale (AI) mund të ulin në të ardhmen kërkesën për disa kategori profesionistësh të teknologjisë së informacionit, veçanërisht për pozicionet fillestare të karrierës.
Punët që kërkojnë kualifikim të ulët dhe detyra rutinë janë më të lehtat për t’u plotësuar
Punëtorët e krahut gjenden relativisht lehtë në 21 vende, të ndjekur nga ndihmësit për përgatitjen e ushqimit në 17 vende dhe punonjësit në profesione elementare në 16 vende.
Punonjësit e shitjeve dhe punonjësit e tjerë të zyrave rezultojnë të lehtë për t’u rekrutuar në nga 15 vende secila kategori.


Disa vende dalin jashtë tendencës evropiane
Në Norvegji, punëtorët e krahut janë kategoria më e vështirë për t’u rekrutuar, megjithëse në 21 nga vendet e studiuara ata gjenden relativisht lehtë.
Në Spanjë, ndihmësit për përgatitjen e ushqimit janë më të vështirët për t’u rekrutuar, ndonëse në pjesën më të madhe të Europës kjo kategori punonjësish gjendet lehtësisht.
Në Francë, punonjësit në profesione elementare janë më të vështirët për t’u gjetur.
Disa vende të Europës Veriore dhe Perëndimore dallojnë nga tendenca e përgjithshme edhe për profesionet e teknologjisë së informacionit.
OECD e klasifikon tregun e punës për profesionistët e TIK-ut si përgjithësisht të ekuilibruar në Danimarkë, Finlandë, Gjermani, Holandë, Norvegji dhe Suedi, ndërsa në Austri, Zvicër dhe Mbretërinë e Bashkuar rezulton një tepricë relative e ofertës së këtyre profesionistëve.
Mungesat e punonjësve varen nga struktura e ekonomisë
“Profesionet që përballen me mungesat më të mëdha ndryshojnë midis vendeve për disa arsye. Kërkesa për profesione të caktuara varet nga struktura ekonomike e secilit vend”, tha Olufsen për Euronews Business.
Ajo përmendi Korenë e Jugut dhe Gjermaninë, ku sektorët e mëdhenj të industrisë prodhuese shpjegojnë pjesërisht mungesat në disa profesione që kërkojnë kualifikim të mesëm, përfshirë montuesit dhe operatorët e makinerive.
Sipas Olufsen, edhe oferta e fuqisë punëtore ndryshon nga një vend në tjetrin.
Vendet që ofrojnë paga relativisht të mira për mësuesit dhe profesionistët e shëndetësisë mund të përballen me mungesa më të vogla në këto profesione.
Përputhja e aftësive me kërkesat e tregut dhe trajnimi profesional
“Mungesat e fuqisë punëtore në Europë po bëhen gjithnjë e më shumë strukturore sesa të përkohshme. Ndryshimet demografike, mospërputhja e aftësive me kërkesat e tregut, cilësia e vendeve të punës dhe lëvizshmëria e kufizuar e fuqisë punëtore luajnë të gjitha një rol”, tha për Euronews Business Pia-Johanna Fallström, zëdhënëse e Autoritetit Europian të Punës (ELA).
Sipas saj, Europa ka nevojë për trajnime më të mira, vende pune me kushte më të favorshme dhe një përputhje më të mirë midis aftësive të punonjësve dhe nevojave të punëdhënësve.
Ajo bëri thirrje gjithashtu për lëvizshmëri të drejtë të fuqisë punëtore, në mënyrë që punonjësit në vendet ku ka tepricë të ofertës të mund të punësohen aty ku ka mungesa.
“Analiza e ELA-s tregon se shumë profesione që raportohen me mungesë punonjësish në një vend mund të kenë tepricë të fuqisë punëtore në një vend tjetër”, shtoi ajo./Përshtati nga Euronews, ekofin.al
