Ndërprerja globale e Microsoft vijon, pasi gjiganti amerikan i teknologjisë raportoi problemet e para me shërbimet e postës elektronike ditën e enjte.
Më shumë se 430 milionë persona përdorin aplikacionet e Microsoft 365, ndërsa mbi 90% e kompanive të listuara në Fortune 500 përdorin chatbot-in e inteligjencës artificiale Copilot, sipas të dhënave të publikuara në faqen zyrtare të kompanisë.
Miliona njerëz në mbarë botën humbën aksesin në postën elektronike Outlook, platformat e takimeve online Teams dhe shërbime të tjera thelbësore për jetën moderne në zyra, pasi ndërprerja u përhap me shpejtësi.
Në përditësimin e fundit, të publikuar në orët e para të së premtes, sipas orës lindore të SHBA-së, kompania raportoi “përparim të kufizuar” në përpjekjet për të riparuar problemin. Një drejtues i Microsoft konfirmoi se ndërprerja nuk ishte shkaktuar nga ndonjë sulm ndaj sigurisë kibernetike.
Ndërsa Evropa u zgjua të premten, ndërprerja vijonte të prekte një numër të madh përdoruesish në mbarë botën.
Ndërprerja preku 74 shtete dhe territore brenda rreth një ore, sipas faqes monitoruese Downdetector. Disa kompani ajrore raportuan probleme me shërbimet e asistencës për klientët përmes postës elektronike.
Në SHBA bashkitë në qytete të ndryshme në të gjithë vendin raportuan ndërprerje të gjera të shërbimeve të postës elektronike dhe u kërkuan qytetarëve të kontaktonin me telefon zyrat dhe agjencitë lokale, nëse kishin nevojë. Të paktën një kompani amerikane shtyu zhvillimin e konferencës për publikimin e rezultateve financiare tremujore.
Në rajonin Azi-Paqësor disa shërbime qeveritare në Japoni kaluan në përdorimin e dokumenteve në letër për shkak të ndërprerjes, ndërsa gjykatat në Filipine përjetuan vonesa. Edhe shkollat, gjykatat dhe shërbimet qeveritare në Australi u prekën nga problemi.
Në Hong Kong, punonjës të bankave Morgan Stanley dhe Goldman Sachs i thanë CNN se puna e tyre u ndërpre deri në pushimin e drekës.
Bankat u kanë bërë thirrje klientëve të tregojnë kujdes ndaj mashtrimeve dhe tentativave për vjedhjen e të dhënave personale përmes mesazheve elektronike (phishing), pasi kriminelët kibernetikë mund të shfrytëzojnë këtë ndërprerje për të shënjestruar individë dhe biznese./Përahtati nga CNN, ekofin.al
