Integrimi i mëtejshëm i tregut shqiptar të energjisë elektrike me vendet fqinje mund të sjellë përfitime të konsiderueshme ekonomike, të cilat aktualisht nuk shfrytëzohen plotësisht për shkak të mungesës së bashkimit të tregjeve dhe përdorimit joefikas të kapaciteteve ndërkufitare.
Sipas raportit më të fundit të Agjencisë së Bashkimit Europian për Bashkëpunimin e Rregullatorëve të Energjisë (ACER), përfitimi ekonomik potencial në tre kufijtë energjetikë të Shqipërisë arrin në rreth 83 milionë euro, bazuar në të dhënat e tregut për vitin 2025.
Pjesa më e madhe e këtij potenciali lidhet me shkëmbimet e energjisë ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë, ku ACER përllogarit një suficit ekonomik shtesë prej 48 milionë eurosh. Në kufirin Shqipëri–Mali i Zi, përfitimi i mundshëm vlerësohet në 35 milionë euro, ndërsa në kufirin Shqipëri–Kosovë rezulton vetëm 0.01 milionë euro.
Diferenca ka të bëjë me nivelin e integrimit të tregjeve. Shqipëria dhe Kosova tashmë funksionojnë në një treg të bashkuar të energjisë për ditën në vijim, ndërsa tregjet me Greqinë dhe Malin e Zi nuk janë bashkuar ende në të njëjtën mënyrë.
Ky bashkim pasqyrohet edhe në çmimet e energjisë. Sipas ACER, gjatë vitit 2025, çmimet në Shqipëri dhe Kosovë kishin një diferencë më të vogël se 1 euro për megavatorë në 99% të orëve. Ndërkohë, në kufirin Shqipëri–Mali i Zi kjo përputhje u regjistrua vetëm në 4% të orëve dhe në kufirin Greqi–Shqipëri në 3% të tyre.
Këto të dhëna tregojnë se bashkimi i tregjeve mund të ndikojë në afrimin e çmimeve, ndërsa mungesa e integrimit lë hapësirë për diferenca të konsiderueshme ndërmjet vendeve fqinje.

Pse nuk shfrytëzohet plotësisht tregtia ndërkufitare?
ACER shpjegon se, në tregjet që nuk janë bashkuar, pjesëmarrësit duhet të planifikojnë shkëmbimet ndërkufitare përpara se të njihen çmimet përfundimtare të energjisë për ditën pasardhëse.
Për rrjedhojë, tregtimi mbështetet te parashikimet e çmimeve dhe jo te diferencat reale. Kjo mund të sjellë raste kur kapacitetet e transmetimit mbeten të pashfrytëzuara, edhe pse shkëmbimi i energjisë do të ishte ekonomikisht i favorshëm, ose kur energjia shkëmbehet në drejtim të kundërt me atë që do të sillte përfitimin më të madh ekonomik.
Bashkimi i tregjeve synon pikërisht përdorimin më efikas të kapaciteteve ndërkufitare dhe shpërndarjen e energjisë aty ku ajo ka vlerën më të lartë ekonomike.
Në shkallë më të gjerë, ACER përllogarit se integrimi i tregjeve të vendeve të Komunitetit të Energjisë me tregun europian mund të kishte gjeneruar rreth 763 milionë euro suficit ekonomik shtesë gjatë vitit 2025.
Megjithatë, agjencia europiane paralajmëron se këto vlerësime janë indikative dhe mund të jenë deri në dy herë më të larta se përfitimet realisht të arritshme. Kjo ndodh sepse modeli përdor diferencat ekzistuese të çmimeve, ndërkohë që integrimi i tregjeve do të ndikonte në ngushtimin e tyre.
Gjithashtu, shuma prej 83 milionë eurosh nuk përfaqëson të ardhura që do të përfitonte drejtpërdrejt Shqipëria, por një vlerësim të suficitit ekonomik shtesë në kufijtë ku ajo merr pjesë. Ky tregues mat përmirësimin e efikasitetit të tregut dhe jo një përfitim monetar të garantuar për shtetin, kompanitë apo konsumatorët, thekson raporti.
Pavarësisht këtyre kufizimeve, rezultatet tregojnë potencialin që mbetet për t’u shfrytëzuar nga integrimi i tregut shqiptar të energjisë me vendet fqinje, veçanërisht me Greqinë dhe Malin e Zi, ku përllogariten edhe përfitimet më të mëdha./ekofin.al
