Investimet e huaja, si ndër burimet kryesore të financimit të ekonomisë, kanë vijuar trendin pozitiv. Sipas të dhënave të bilancit të pagesave të BSH, në tremujorin e parë investimet e huaja arritën në 325 milionë euro, shifër në rritje krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2023, kur u shënuan 308 milionë euro.
Të domosdoshme për të krijuar vende pune, por edhe për të zhvilluar tregun dhe rritur konkurrencën. Për shkak të të gjitha këtyre përfitimeve, në rajon tashmë prej vitesh ka nisur gara e ashpër për tërheqjen e investitorëve të huaj.
Fluksi i investimeve të huaja ka pësuar rritje të vazhdueshme vitet e fundit, duke arritur në rreth 1.5 miliardë euro vitin e kaluar, niveli më i lartë i shënuar vitet e fundit. Kundrejt një viti më parë, investimet e huaja janë rritur me rreth 120 milionë euro, ndërsa kundrejt vitit 2019, rritja është rreth 500 milionë euro.
Më tërheqësi është sektori i pasurive të patundshme. Të huajt po blejnë prona në Shqipëri, kryesisht në zonën e bregdetit, të nxitur edhe nga zhvillimi i turizmit. Në pasuritë e patundshme janë investimet 21.6% e totalit të fluksit të investimeve të huaja. Në vend të dytë është industria nxjerrëse, pasuar nga aktivitetet financiare dhe të sigurimit.
Të dhënat tregojnë se Holanda po kryeson investimet e huaja direkte në Shqipëri për të pestin vit radhazi. Kjo edhe për faktin se ky shtet ka politika të favorshme fiskale dhe shumica e kompanive që operojnë në Europë regjistrohen aty. Investimet nga ky vend përbëjnë 16% të totalit, pasuar nga Kanadaja me 13% dhe Italia me 11%.
