Shoqata “Manifaktura Shqiptare” kundërshton Paketën Fiskale 2027, duke argumentuar se propozimet e saj për mbështetjen e prodhimit dhe eksporteve nuk janë reflektuar në masat e paraqitura nga qeveria. Në një deklaratë për mediat, të publikuar më 28 tetor, shoqata kërkon konsultim të drejtpërdrejtë me bizneset përpara miratimit të paketës, në një kohë kur sektori po përballet me rënie të eksporteve dhe mbyllje të kompanive.
Sipas shoqatës, propozimet e paraqitura që në fillim të shtatorit synonin të ulnin kostot e punësimit, të nxisnin investimet dhe të përmirësonin konkurrueshmërinë e prodhuesve shqiptarë. Megjithatë, ajo pretendon se këto kërkesa nuk janë përfshirë në paketën fiskale.
Shoqata e përshkruan situatën e manifakturës si dramatike, duke theksuar se eksportet po shënojnë rënie dyshifrore dhe se kompanitë po mbyllen njëra pas tjetrës.
Sipas saj, ndër faktorët që kanë ndikuar në përkeqësimin e situatës janë rënia e euros dhe mungesa e kontrollit efektiv të situatës monetare. Këto zhvillime, argumenton shoqata, kanë rënduar kostot e bizneseve dhe kanë dobësuar konkurrueshmërinë e prodhuesve shqiptarë në tregjet e huaja.
Në këto kushte, bizneset prodhuese kërkojnë politika fiskale që të lehtësojnë barrën e aktivitetit ekonomik dhe të krijojnë kushte për ruajtjen e vendeve të punës, investimet dhe rritjen e eksporteve.
Në propozimet e saj, Shoqata “Manifaktura Shqiptare” ka kërkuar ndryshime që prekin drejtpërdrejt kostot e punës, investimet dhe formalizimin e ekonomisë.
Ndër masat kryesore të kërkuara janë:
– Përshtatja e pragut të tatimit mbi pagën me pagën minimale, për të rishikuar barrën fiskale mbi të ardhurat nga puna.
– Lehtësimi i kostove të punësimit në sektorët me intensitet të lartë punësimi, ku kostot e personelit përbëjnë një pjesë të rëndësishme të shpenzimeve të kompanive.
– Nxitja e fitimit të riinvestuar, për t’u dhënë bizneseve më shumë mundësi të financojnë zgjerimin e aktivitetit të tyre.
– Mbështetja e teknologjisë dhe automatizimit, me synim rritjen e produktivitetit dhe konkurrueshmërisë së prodhimit vendas.
– Masa për reduktimin e informalitetit, si dhe politika konkrete për nxitjen e prodhimit dhe eksporteve.
Sipas shoqatës, këto propozime nuk janë reflektuar në masat e qeverisë për vitin 2027.
Një nga shqetësimet kryesore të prodhuesve lidhet me mundësinë që ndryshimet fiskale të shtojnë barrën mbi bizneset, në vend që ta lehtësojnë atë.
Shoqata kundërshton mosreflektimin e kërkesës për ndryshimin e mënyrës së përllogaritjes së pagës dhe ngre shqetësime për shtimin ose rritjen e barrës së TVSH-së dhe tatimit mbi fitimin, të cilat, sipas saj, rrezikojnë të rrisin kostot e aktivitetit ekonomik.
Një tjetër problem i evidentuar është ndryshimi i shpeshtë i sistemit fiskal. Sipas manifakturës, mungesa e qëndrueshmërisë së politikave tatimore krijon pasiguri për bizneset dhe vështirëson planifikimin financiar, marrjen e vendimeve për investime dhe përcaktimin e strategjive afatgjata.
Pasojat, paralajmëron shoqata, mund të shtrihen përtej kompanive, duke ndikuar në punësim, investime dhe çmimet për konsumatorët.
Shoqata “Manifaktura Shqiptare” i kërkon qeverisë të zhvillojë konsultime të drejtpërdrejta me përfaqësuesit e sektorit dhe grupet e tjera të interesit përpara miratimit të Paketës Fiskale 2027./ekofin.al
