Komisioni parlamentar i Ekonomisë dhe Financave ka vendosur zgjatjen e afatit të përdorimit të bonove të privatizimit deri në dhjetor të vitit 2027. Zgjatja e afatit të përdorimit u vendos duke qenë se kishte përfunduar në fund të vitit të kaluar me argumentin se 42% e bonove të privatizimit rezultojnë të papërdorura.
Antoneta Dhima, Deputete e PS: “42% e bonove të privatizimit janë në qarkullim dhe mund të përdoren nga persona që duan të legalizojnë banesat e tyre apo duan të privatizojnë objekte të cilat i kanë me qira apo dëshirojnë që përmes procedurave të ndryshme ligjore të privatizojnë objekte që u janë kthyer me vendim të Komisionit të Kthimit të Pronave”
Referuar të dhënave zyrtare aktualisht janë asgjësuar nga Banka e Shqipërisë më shumë se 1.6 milionë copë bono privatizimi, si dhe janë përdorur për privatizim rreth 1.7 milionë copë, pra gati 58% e bonove të privatizimit. Shtyrja e afatit u vjen në ndihmë kategorive të shtresave shoqërore, që përdorin bonot e në procese të rëndësishme siç janë procesi i legalizimit të ndërtimeve informale, privatizimi i objekteve.
