Protesta në shkallë kombëtare kundër rritjes së kostos së jetesës priten të zhvillohen në Itali dhe Francë ketë të shtunë. Autoritetet dhe pronarët e bizneseve druhen se mund të përsëriten ngjarjet e 17 dhe 18 tetorit, kur qindra persona u përfshinë në incidente të dhunshme, duke sulmuar dyqane dhe forcat e rendit.
Protestat janë planifikuar në disa qytete italiane, përfshirë Milanon, Bolonjën, Xhenovën, Torinon, Romën dhe Firencen. Sipas “Mappa della rivolta”, një faqe interneti që grumbullon informacion mbi nismat protestuese, janë parashikuar më shumë se 30 mobilizime, nga marshimet dhe protestat paqësore me qëndrim në vend, deri te tubimet dhe grevat.
Kryeqyteti italian do të jetë nën masa të rrepta sigurie. Drejtoria e Policisë së Romës ka hartuar një plan për menaxhimin si të protestave të njoftuara zyrtarisht, ashtu edhe të tubimeve spontane të paralajmëruara në internet.
Përveç njësive të zakonshme të angazhuara për ruajtjen e rendit gjatë protestave, do të përdoren edhe dronë të Departamentit të Parë të Fluturimeve të Policisë së Shtetit, si dhe mjete ajrore të Karabinierisë.
Në total, rreth 1,500 efektivë do të dislokohen në Romë, ndërsa kontrollet do të shtrihen nga sheshet kryesore të qytetit deri te stacionet hekurudhore.
Në rrjetet sociale qarkullojnë udhëzime taktike për përballjet me policinë
Edhe Qendra e Sigurisë Kibernetike në Romë është vënë në funksion, duke monitoruar postimet dhe aktivitetet në rrjetet sociale, në bashkëpunim me Digos, njësinë e specializuar operative të Policisë italiane.
Organizimi dhe shpërndarja e informacionit në platformat digjitale po e bëjnë më të vështirë menaxhimin e protestave.
Në Telegram, TikTok dhe Instagram po qarkullojnë udhëzues se si protestuesit të përgatiten për përplasje të mundshme. Këshillat përfshijnë marrjen me vete të ujit, qetësuesve të dhimbjeve dhe uthullës për të zbutur efektet e gazit lotsjellës, si dhe rekomandime për veshjen dhe sjelljen në rast të shpërthimit të trazirave.
Në Milano do të dislokohen rreth 1,000 efektivë të policisë dhe Karabinierisë, 300 punonjës të policisë bashkiake dhe 500 ushtarakë, në zbatim të dekretit më të fundit të qeverisë për sigurinë.
Edhe në këtë qytet do të përdoren dronë për monitorimin e marshimeve. Demonstratat e autorizuara do të zhvillohen larg sheshit të Duomos, ndërsa protestat janë ndaluar në zonat Garibaldi dhe Porta Venezia.
Në Torino pritet një demonstratë e organizuar nga aktivistë të lëvizjeve radikale, të lidhur me ish-qendrën sociale Askatasuna, së bashku me anëtarë të Lëvizjes së 17 Tetorit dhe studentë. Marshimet janë planifikuar të nisin në orën 14:00, në sheshin Piazza Arbarello.
Pas trazirave të 17 tetorit, të premten, njësia Digos kreu kontrolle që kishin në shënjestër rreth 100 persona, nga të cilët 51 ishin të mitur.
Operacionet u zhvilluan në disa qytete italiane, përfshirë Barin, Bergamon, Firencen, Xhenovën dhe Veronën./Përshtati nga Euronews, ekofin.al
