Shqipëria ka bërë përparime të konsiderueshme në digjitalizimin e shërbimeve publike, por informacioni që u ofrohet qytetarëve mbi mënyrën se si funksionojnë këto shërbime mbetet i pamjaftueshëm. Vetëm 38% e shërbimeve kryesore të vlerësuara plotësojnë kriteret e transparencës, krahasuar me mesataren prej 59% në Bashkimin Evropian.
Diferenca prej 21 pikësh përqindjeje evidentohet në raportin e ri të programit SIGMA të OECD-së dhe BE-së, i cili analizon cilësinë dhe disponueshmërinë e shërbimeve publike digjitale në Ballkanin Perëndimor.
Sipas raportit, zgjerimi i shpejtë i shërbimeve elektronike në Shqipëri nuk është shoqëruar gjithmonë me informacion të plotë për përdoruesit mbi mënyrën e funksionimit të procedurave.
Kjo do të thotë se mundësia për të kryer një aplikim online nuk garanton domosdoshmërisht që qytetari të ketë informacion të qartë për të gjitha hapat e procesit, kohën e pritjes ose mënyrën se si përdoren të dhënat e tij personale.
Çfarë nuk u shpjegohet mjaftueshëm përdoruesve?
Metodologjia evropiane e vlerësimit të shërbimeve digjitale merr në konsideratë disa elemente të transparencës.
Ajo analizon nëse përdoruesi informohet për hapat që duhet të ndjekë gjatë aplikimit, afatet e përpunimit dhe kohën e pritshme për marrjen e përgjigjes.
Gjithashtu vlerësohet nëse institucionet shpjegojnë se si trajtohen të dhënat personale dhe nëse publikojnë informacion mbi performancën dhe përmirësimin e shërbimeve.
Në Shqipëri, sipas OECD-së, këto elemente nuk janë përfshirë në mënyrë të njëtrajtshme në shërbimet elektronike.
Raporti e lidh këtë mangësi me ritmin e shpejtë të transformimit digjital, gjatë të cilit vëmendja është përqendruar te kalimi i procedurave në internet, ndërsa informimi i përdoruesve nuk ka marrë gjithmonë të njëjtën rëndësi.
Ka edhe shërbime që përmbushin standarde të larta
Vlerësimi i OECD-së nuk është negativ për të gjitha shërbimet shqiptare.
Raporti veçon si shembull pozitiv shërbimin e deklarimit online të taksës së automjeteve.
Në këtë rast, platforma konfirmon përfundimin me sukses të çdo hapi, informon përdoruesin për kohën e pritshme të përpunimit dhe përcakton afatin maksimal brenda të cilit administrata duhet të ofrojë shërbimin.
Gjithashtu, publikohen të dhëna mbi performancën e shërbimit dhe shfaqen mesazhe gabimi kur përdoruesi vendos informacione të pasakta.
Sipas SIGMA-s, ky shembull tregon se funksionalitete më të avancuara të transparencës ekzistojnë në administratën shqiptare, por nuk janë përhapur në mënyrë të barabartë në të gjitha shërbimet.
Transparenca, pjesë e standardeve për integrimin në BE
Raporti vëren se edhe mesatarja evropiane prej 59% tregon se transparenca mbetet një fushë ku nevojiten përmirësime, por Shqipëria ndodhet ende në një nivel më të ulët.
Për vendet që synojnë anëtarësimin në BE, transparenca nuk lidhet vetëm me publikimin e informacionit në internet. Ajo është pjesë e cilësisë së shërbimit publik dhe e të drejtës së qytetarëve për të kuptuar se si trajtohen kërkesat dhe të dhënat e tyre.
OECD rekomandon që vendet e Ballkanit Perëndimor të kalojnë nga përqendrimi te numri i shërbimeve të disponueshme online drejt vlerësimit të cilësisë, përfundimit të plotë të procedurave në mënyrë elektronike dhe transparencës së tyre.
Për Shqipërinë, sfida e radhës është që përmirësimet të mos kufizohen te shtimi i shërbimeve të reja, por të përfshijnë edhe informimin e qartë të qytetarëve për çdo fazë të aplikimit./ekofin.al
