Pas akteve të rënda të dhunës në disa qytete të mëdha franceze të shtunën, më 17 tetor, ministri i Brendshëm, Lorent Nunez, i paraqiti dorëheqjen presidentit Emanuel Macron, i cili refuzoi ta pranonte atë.
Në një deklaratë të hënën në mëngjes, Pallati Elize bëri të ditur se Macron i kishte kërkuar Nunezit të zbatonte “sa më shpejt të jetë e mundur metoda të reja veprimi në terren (…) kundër protestuesve të dhunshëm”.
Presidenca franceze deklaroi se dorëheqja ishte refuzuar “duke pasur parasysh nevojën për të garantuar drejtimin e vazhdueshëm të forcave të sigurisë në kontekstin aktual”.
Macron pranoi gjithashtu se kishte pasur “dështime në parashikimin e situatës dhe mbledhjen e informacionit të inteligjencës”, të cilat çuan në trazira, shkatërrime dhe grabitjen e shumë bizneseve.
Kryeministri francez, Sebastjan Lekornu, pritet të drejtojë një mbledhje të njësisë ndërministrore të krizës.
Ndërkohë, Macron, i cili foli për dhunën e së shtunës të dielën në mbrëmje, po vijon turin e tij diplomatik në Gjirin Persik. Duke nisur nga sot, ai do të vizitojë Kuvajtin, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahrejnin dhe Katarin, në kuadër të përpjekjeve për të siguruar furnizimet me naftë dhe naftë dizel, si dhe për të ulur çmimet e karburanteve./Përshtati nga Euronews, ekofin.al
